Komunikacioni i vështirësuar, ndalesë për kamionë në Strazhë, Presekë dhe Mavrovë-Dibër

Për shkak të reshjeve të borës është vendosur ndalesë për lëvizjen e automjeteve të rënda transportuese në aksin rrugor Kërçovë – Ohër përmes qafës malore Presekë dhe në akset rrugore Gostivar – Kërçovë përmes vendkalimit malor Strazhë, si dhe në aksin Mavrovë – Dibër.

Sipas Lidhjes Auto Moto të Maqedonisë, komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet me vështirësi dhe në kushte të dimrit, nëpër rrugë të lagështa, ndërsa në pjesën perëndimore vende-vende me mbetje të borës pas intervenimit të ekipeve të “Rrugëve të Maqedonisë”. LAMM rekomandon vozitje jashtëzakonisht të kujdesshme, shpejtësi të adaptuar të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. Në gryka malore është e mundur dukuria e shembjeve, posaçërisht në drejtimet rrugore: Koçan – Makedonska Kamenicë – Dellçevë, Vinicë – Berovë, Gostivar – Strazhë, Mavrovë – Dibër – Strugë, Demir Kapi – Udovë, Katllanovë – Veles, Krushevë – Demir Hisar dhe Resnjë  – Bukovë.

Bora e ngadalësoi edhe transportin urban dhe ndërurban, por pa probleme të dukshme, ndërkaq tani për tani nuk shkakton probleme në komunikacionin ajror, ku rrjedhimisht po zhvillohen fluturimet dhe aterimet e planifikuara.

Për shkak të zbritjes së masës polare ajrore nga veriu, sipas DPHM-së, në orët e pasdites dhe të natës reshjet e borës do të zgjerohen çdokund dhe vende-vende do të jenë intensive. Çdokund do të formohet shtresë bore (në male mbi 50 cm, ndërsa në vendet më të ulëta prej 10 deri 20 cm). Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar veriore. Temperatura do të jetë në interval prej 0 deri tetë gradë. Në Shkup do të jetë mot me vranësira me reshje të borës, të cilat kohë pas kohe do të intensifikohen dhe do të formohet shtresë bore deri rreth 20 cm. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verior. temperatura do të jetë rreth zeros.

Reshje të borës do të ketë edhe nesër, posaçërisht paradite, por ato do të jenë me intensitet të zvogëluar. Gjatë fundjavës vranësirat pjesërisht do të pakësohen dhe do të jetë më ftohtë. Gjatë ditës më ftohtë pritet të jetë të shtunën me temperaturë prej minus 12 deri minus gjashtë, ndërsa të dielën temperaturat e mëngjesit do të lëvizin prej minus 22 deri minus 10.

Pas paralajmërimit për temperatura të ulëta dhe reshje të borës në tërë shtetin Trupi koordinues qeveritar për përballje me kriza dhe Komiteti drejtues për kriza bën thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë planifikimit të udhëtimeve, të mos nisen në rrugë nëse nuk kanë nevojë urgjente dhe të sjellin pajisje adekuate dimërore. Kjo posaçërisht ka të bëjë me automjetet transportuese për të cilat nuk është e përjashtuar ndalesa në periudhë të caktuar. Kompania EVN duhet të formojë ekipe të cilat do të jenë me mobilitet të shtuar dhe gatishmëri të shtuar operative në rast të prishjes së sistemit për furnizim me energji elektrike.

Shtresë më të lartë të borës në Maqedoni, deri në orën 13:00, pati në Hanet e Mavrovës, ku kanë rënë 25 centimetra borë, në Pozharan 19 centimetra, Tetovë 18, Llazaropole 12, tetë centimetra në Shkup-Zajçev Rid, pesë në Gjurishte, katër në Kumanovë, ndërsa një centimetër në Krushevë, informon Drejtoria për punë hidrometeorologjike (DPHM)./MIA

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button