Pse gratë janë më tekanjoze në dashuri?

Gratë janë dy herë më shumë përzgjedhëse kur vihen përballë mundësisë për takime zemre, sugjerojnë kërkimet sociologjike. E pse ndodh kështu?

Nëse je në një lokal dhe përpiqesh të zbulosh beqarët apo beqaret, t’i afrohesh dhe t’i kërkosh një takim zemre nuk është mënyra më eficente për të gjetur një të dashur.

Por ka një zgjidhje – takimet masive, ku grupime beqarësh takohen në një aktivitet të caktuar. Burrat lëvizin nga një tavolinë në tjetrën për të folur me gratë, këto biseda zakonisht zgjasin nga tri në katër minuta.

Pas këtyre bisedave, pjesëmarrësit u thonë organizatorëve, shpesh përmes internetit, se cilët prej njerëzve me të cilët biseduan dëshirojnë të takojnë sërish.

Në një studim të kohëve të fundit mbi këto lloj aktivitetesh, dilet në konkluzionin se nëse burrat dhe gratë shkojnë në një mbrëmje me 22 çifte, burrat duken të interesuar të takohen më vonë me pesë gra nga ato me të cilat folën, ndërsa gratë mesatarisht zgjedhin vetëm dy prej burrave për t’i dhënë një shans.

Kjo do të thotë se për çdo ofertë që një grua bën, ajo ka afërsisht 50 për qind shans që burri do të jetë gjithashtu i interesuar. Por për çdo ofertë që një mashkull bën, ai ka vetëm një në pesë mundësi që pala tjetër të jetë gjithashtu e interesuar.

Kërkimi u krye nga Mishel (Michele) Belot, ekonomist nga Universiteti i Edinburgut dhe kolegu i saj, Marko Françeskoni, (Marco Francesconi) nga Universiteti i Eseksit, të cilët mblodhën të dhëna nga 84 takime beqarësh ku patën marrë pjesë 3600 vetë në Britaninë e Madhe.

Këto lloj takimesh konsiderohen shpesh nga ekonomistët si mundësi perfekte për të parë se si funksionojnë forcat e tregut, në këtë rast në tregun e takimeve të zemrës.

Po pse meshkujt janë më pak nazelinj?

“Kjo është diçka që psikologët e evolucionit dhe biologët e njohin dhe e shpjegojnë”, thotë Belot. “Ne e dimë se mes shumë sjelljeve të femrave, tendenca e përgjithshme është që të marrin më pak rreziqe për vete. Psikologët e lidhin këtë me faktin se nëse bëjnë gabime, gratë paguajnë shumë më shtrenjtë sesa burrat për shkak të fëmijëve. Është e qartë se nëse bën gabim duke u takuar me burrin e gabuar, rreziku është që të kalosh katër muaj duke mbajtur një fëmijë dhe pastaj duke u kujdesur për një fëmijë. Ndërsa për burrat, kostot e takimeve të gabuara janë shumë më të ulëta”.

Studime të tjera akademike sugjerojnë se për shkak se burrat historikisht nuk janë angazhuar shumë në prindërim, ata i kushtojnë më shumë kohë “çiftëzimit afatshkurtër” pra nuk po kërkojnë më shumë sesa një takim.

Ndërkohë në SHBA, një studim sugjeron se dallimi mund të jetë thjesht  si pasojë e funksionimit të këtyre takimeve, ku konvencioni shoqëror është që gratë të qëndrojnë të ulura në një tavolinë ndërsa burrat lëvizin nga një tavolinë te tjetra.

Kërkuesit zbuluan se kur rolet përmbyteshin në takime të tilla dhe gratë vendoseshin të lëviznin nga një tavolinë në tjetrën për t’u takuar me burrat, atëherë gratë shprehnin më shumë interes për takime të mëvona sesa kur qëndronin të ulura. Një shpjegim i mundshëm është se personi që lëviz nga një tavolinë në tjetrën, fiton më shumë vetëbesim.

Studimi i Belot dhe Françeskoni mori edhe të gjitha të dhënat e pjesëmarrësve në takime të tilla nga profilet e publikuara për të kuptuar se çfarë cilësish vlerësonin palët te një partner i mundshëm.

“Si për burrat ashtu edhe për gratë, arsimimi dhe statusi profesional ka rëndësi. Ne zbuluam se gratë pëlqejnë burra më të gjatë dhe burrat pëlqejnë gra më të holla”, thotë Belot.

Ndoshta kjo nuk është shumë surprizuese. Por rezulton se njerëzit shpesh janë të gatshëm për kompromis në këto preferenca.

Pra, nëse gratë pëlqejnë një njeri akademik, por rastis një njeri jo kaq shumë akademik në një takim çiftesh, ajo do t’i ulë pritshmëritë e veta për këtë rast dhe do të kërkojë njerëzit më të përafërt me kriteret e saj.

Belot mendon se një shpjegim për këtë është se beqarët që shkojnë në takime të tilla kanë pritshmërinë se aty gjendet gjithçka që është e disponueshme mes beqarëve.

Por nëse del nga kallëpi i asaj që mendon se të pëlqen, kjo mund të jenë me përfitim për të gjithë shoqërinë.

Njerëzit martohen me njerëz shumë të ngjashëm me veten – për shembull nga i njëjti rreth socio-ekonomik. Dhe ekonomistët argumentojnë se kjo ndalon mobilitetin shoqëror nga një gjeneratë në tjetrën.

Pra njerëzit e pasur martohen me njëri-tjetrin siç bëjnë edhe njerëzit e varfër.

Por takimet në grup beqarësh tregojnë se njerëzit nuk janë shumë të fiksuar pas këndvështrimeve të tyre se kë duhet të takojnë e kë jo, thotë Belot. Nëse u jepet rasti, këto kritere rrëzohen.

“Është shumë interesante të shohësh te këto takime në grup një farë shprese se nëse vendos t’i përziesh njerëzit e ndryshëm, edhe ato janë të gatshëm të përzihen”.

Lajme të ngjashme

Back to top button