Llugë në Ukrainë

Parlamenti ukrainas e ka shkarkuar presidentin Janukoviç, pas një jave të përgjakshme që ka lënë disa dhjetëra njerëz të vdekur, si dhe të ardhmen politike të Ukrainës në mjegull.

Protestuesit kanë marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, të shtunën, duke pushtuar zyrën e presidentit, teksa parlamenti e ka shkarkuar atë dhe ka shpallur zgjedhje të parakohshme në vend. Presidenti Viktor Janukoviç i ka quajtur zhvillimet puç dhe ka insistuar se s’do të tërhiqet.
Pas një jave të përgjakshme që ka lënë disa dhjetëra njerëz të vdekur, si dhe të ardhmen politike të Ukrainës në mjegull, është rritur frika se ish-republika sovjetike mund të ndahet më dysh.

Parlamenti ukrainas e ka caktuar 25 majin e sivjetmë si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por presidenti ka thënë se nuk do t’i njohë asnjërin nga vendimet e ligjbërësve si të vlefshme.
Janukoviç e ka lënë Kievin dhe është zhvendosur në bastionin e tij në lindjen rusishtfolëse të vendit, ku ligjbërësit e kanë minimizuar legjitimitetin e parlamentit të ri dhe i kanë bërë thirrje njësiteve vullnetare që të ruajnë rendin në vend. “Ata po përpiqen të më frikësojnë. Unë nuk e kam ndërmend të largohem nga vendi. Unë nuk do të jap dorëheqje nga posti, unë jam president legjitim i zgjedhur i vendit”, ka thënë Janukoviç në një fjalim televiziv, dukshëm i shqetësuar.

“Gjithçka që po ndodh sot është, në një shkallë të madhe, vandalizëm dhe puç. Unë do të bëj gjithçka për të mbrojtur vendin tim nga ndarja dhe për të ndalur gjakderdhjen”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, postin e kryetarit të parlamentit dhe atë të ministrit të përkohshëm të Brendshëm e kanë marrë dy aleatë të ish-kryeministres Yulia Timoshenko – e cila është liruar nga burgu pas një votimi në parlament – teksa revolucioni ka marrë hov pas përleshjeve të përgjakshme.
Zyrtarët e mbrojtjes dhe të ushtrisë kanë bërë apel për ruajtje të rendit dhe qetësisë. Nëpërmjet komunikatave të lëshuara të shtunën, ministri i Mbrojtjes dhe shefi i forcave të armatosura kanë thënë se nuk do të përfshihen në asnjë konflikt dhe do t’ia mbajnë anën popullit. Por, ata nuk kanë sqaruar nëse ende mbështetin presidentin apo kanë vendosur të rreshtohen përkrah opozitës.

Protestat kundër qeverisë së Janukoviçit kanë nisur në nëntorin e vitit të kaluar, kur ai ia ka kthyer shpinën një marrëveshjeje partneriteti me Bashkimin Evropian, në favor të lidhjeve më të afërta me Rusinë, e cila i ka premtuar vendit ndihmë të majme financiare. Protestat shpejt janë shndërruar në demonstrata të gjera antiqeveritare, pas një ofensive për shtypjen e protestuesve.

“Është rrëzuar diktatori”, ka thënë protestuesi Anatoli Sumçinski, në mesin e mijëra njerëzve në Sheshin e Pavarësisë së Kievit, të cilët brohorisnin teksa një ekran i madh transmetonte punimet në parlament. “Ne kemi luftuar për të jetuar në një Ukraine më ndryshe. Kjo është fitore e jona!”.

Lajme të ngjashme

Back to top button