Veliaj: Projektojmë Tiranën moderne me 1.6 milione banorë

Bashkia e Tiranës ka zhvilluar sot dëgjesë me anëtarët e Këshillit Bashkiak për draftin final të Planit të Përgjithshëm Vendor “TR030”. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se “Ky vit që po lëmë pas ishte viti i ringritjes së Tiranës. Jemi ende larg ambicies tonë, por shpresoj që ky plan, me gjithë amendimet që mund të bëjmë, kur të hyjë në fuqi, do të realizojë ambicien tonë për një qytet europian”.

“Plani i vjetër nuk mund të ishte i njëjti plan që mund të përdoret për Shëngjergjin, Vaqarrin, Kasharin, Ndroqin, Krrabën e kështu me radhë. Kështu që, vetëm ndryshimi demografik dhe gjeografik i Tiranës, qoftë si shtesë 30 % e popullsisë apo si rritje 25 herë e territorit, nënkupton që kishim nevojë absolute për një plan të ri. Jo vetëm kaq. Plani i kaluar parashikonte një Tiranë të ngjeshur nga ana urbane që në 15-20 vitet e ardhshme parashikonte 4.5 milionë banorë. Kjo ne na u duk pak e paarsyeshme. Nuk mund të kemi një Shqipëri e gjysmë vetëm në Tiranë. Nuk i paragjykoj fare motivet, por besoj që i kemi dhënë planit një masë pak më njerëzore duke parashikuar një Tiranë që në vitin 2030 ka 1.6 milionë banorë, pra rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë, por jo diçka jorealiste”, shtoi kryetari i bashkisë së Tiranës, Veliaj, transmeton Vizion Plus

Ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, u shpreh se ky plan urbanistik vjen pas konsultave të vazhdueshme me të gjithë ekspertët. Dalipi theksoi se ky plan urbanistik do të ndikojë në zhvillimin e Tiranës për vitet e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button