Kistet në vezore, gabimet në trajtim

Kistet e ovareve janë qese të mbushura me likid në ovare ose, sikurse ne i themi në gjuhë të thjeshtë pacientëve , “qese me ujë” në vezore. Ati janë të zakonshme dhe përgjithësisht formohen përgjatë ovulacionit, pra ditën kur veza është pjekur dhe bëhet gati për t’u ngjizur/fekonduar me spermatozoidin normalisht pasi kalon tubat e fallopit dhe fiksohet në pjesën e brendshme të mitrës, që në mjekësi e quajmë endometër, shkruan shendeti.com.al.

Ovulacioni ndodh çdo muaj dhe, nëse një cikël menstrual është 28 ditësh, supozohet se ovulacioni ndodh në ditën e 14-të të ciklit. Shumë femra me kiste ovariane nuk kanë simptoma, pasi kistet e ovareve zakonisht janë të padëmshme për organizmin. Por ovulacioni mund të shkaktojë dhimbje barku ose gjoksi.

kistet ne vezore
.

Kistet e ovareve i kemi tipe të ndryshme

Më i shpeshti quhetkist funksional përgjatë ciklit menstrual. Ato janë beninje, pra jo kancerogjene.

Kistet folikulare: në një cikël normal menstrual ovaret lëshojnë një vezë çdo muaj ku edhe pjesa e brendshme e mitrës, pra endometri përgatitet çdo muaj për të pritur një shtatzëni. Veza rritet brenda një qeseje që quhet folikul. Kur veza maturohet, pra piqet, kjo qese folikulare çahet dhe lëshohet veza. Kistet folikulare formohen kur ky folikul ose qese folikulare nuk çahet për të lëshuar vezen. Kjo e bën folikulin të vazhdojë të rritet në atë që quhet kist vezoreje. Kistet folikulare zakonisht nuk kanë simptoma dhe zhduken pas 1 – 3 muajsh.

Kistet e korpus luteum: sapo folikuli çahet dhe lëshon vezën, qesja folikulare boshe zvogëlohet në një masë qelizore që quhet “corpus luteum”. Korpus luteumi i bën hormonet të përgatiten për vezën tjetër të ciklit të muajit pasardhës. Kisti i korpus luteumit formohet nëse kjo qese pas çarjes së qeses folikulare nuk zvogëlohet dhe bën një lloj riformimi të qeses që mbledh lëng brenda saj dhe formon kist.

Shumica e kisteve të korpus luteumit zhduken pas disa javëve, por ata edhe mund të zmadhohen deri në 6 cm madhësi. Ata mund të shkaktojnë hemorragji, përdridhen, të shkaktojnë përdredhje të tërë vezores dhe shkaktojnë dhimbje dhe deri urgjencë mjekësore që kërkon operacion. Disa ilaçe që përdoren nga mjekët për të stimuluar ovulacionin në disa raste klinike (që bëhet trajtim për të optimizuar funksionin e vezoreve), rrisin edhe rrezikun për të pasur këto lloj kistesh.

Në disa raste, kur ky mbi stimul ndodh, atëherë krijohen shumë kiste dhe/ose likid të lirë brenda barkut që quhet ascit dhe kërkon trajtim të specializuar.

Kemi edhe kiste ovariale që janë patologjike, por prapë janë beninje dhe jo kancerogjene.

Endometriomas që shkaktohen nga endometrioza, që është një patologji kur pjesa e brendshme e endometrit zhvillohet jashtë mitrës si në këtë rast në vezore.

Dermoide që vijnë nga qeliza që janë të pranishme që në lindje dhe zakonisht nuk shkaktojnë simptoma. Këto kiste zakonisht kanë përbërje mikse nga më të ndryshmet.

Kistadenomas janë kiste të mëdha, pesha e të cilave shkon deri në disa kilogramë dhe janë qese me ujë të vezoreve në madhësi shumë të madhe, që kërkojnë trajtim kirurgjikal.

Kemi edhe rastin kur në vezore prodhohen disa kiste të vogla, që quhet edhe vezore polikistike, ose edhe sindromën e vezores polikistike. Kjo lloj forme mund të shkaktojë probleme me ciklin menstrual sikurse mund të shkaktojë probleme për të pasur një shtatzëni, pra, kërkon konsultë te mjeku/ja gjinekolog/e për trajtim profesional.

Kemi edhe kistet malinje ose kancerogjene të vezoreve që janë të rralla dhe më së shumti hasen në mosha të mëdha te femrat. Kjo është arsyeja që kistet e vezoreve duhet të vlerësohen nga mjeku dhe në mënyrë periodike.

Por është për t’u theksuar edhe një herë se shumica e kisteve të ovareve nuk janë kancerogjene.

Pyetja është se cilat femra kanë kiste të vezoreve?

Në fakt, kistet e ovareve janë të zakonshme te femrat që kanë cikël normal të periodave. Shumica e femrave prodhojnë minimumi një kist folikular ose një kist të korpusit luteum. Pjesa më e madhe e femrave as që e dinë që kanë një kist të tillë deri kur kanë një problem që e bën kistin të rritet ose të formohet shumëfish.

Ka të dhëna që deri në 10 % të femrave paramenopauzë zhvillojnë kiste të mëdha të ovareve që kanë nevojë për trajtim. Kistet ovariale janë më pak të zakonshme pas menopauzës dhe këto kiste kanë risk të lartë për të qenë kancere të ovareve.

Disa simptoma që femra të bëjë një konsultë te mjeku:

Nisur edhe nga historia mjekësore familjare apo për çdo dyshim të mundshëm, nëse femra ka (pavarësisht moshës):

  • fryrje barku,
  • urinon shpesh,
  • ndjen si një rëndesë në fund të barkut,
  • dhimbje në fund të barkut dhe shpinës,
  • ose në rastet e një hemoragjie jo normale vaginale (kjo e fundit ndodh rrallë).
  • Në rastet e përdredhjes së kistit ose të vezores kemi dhimbjen e barkut të shoqëruara edhe me të vjella.

Këto mund të jenë shenja të probleme të kisteve të vezoreve.

Çfarë i shkakton?

Për formimin e kisteve të vezoreve, sikurse thamë edhe më lart, një rol luajnë problemet hormonale, si në kistet funksionale që zhduken vetë pa mjekim pas një kohë të shkurtër. Ata mund të shkaktohen nga probleme hormonale, si dhe përdorimi i ilaçeve për të ndihmuar ovulacionin.

Endometrioza: këto shkaktohen kur zhvillohet pjesa e brendshme e mitrës, që quhet endometër, jashtë kavitetit të mitrës, këto inde endometrioze ngjiten në vezore dhe formojnë endometrioma. Këto janë edhe më të dhimbshme gjatë ciklit menstrual dhe gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale.

Shtatzënia: ndikon sepse një kist ovarial zhvillohet në fillimet e shtatzënisë për të ndihmuar shtatzëninë deri kur formohet placenta. Në disa raste kisti qëndron në vezore deri në fund të shtatzënisë dhe mund të nevojitet të hiqet, sidomos kur lindja përfundon si lindje cezareane ose lindje me operacion që i thotë populli.

Infeksione të rënda dhe kronike pelvike: infeksionet mund të shpërndahen në vezore dhe tubat e fallopit dhe mund të shkaktojnë formimin e kisteve.

Diagnostikimi

Diagnostikimi bëhet në mënyrë rastësore ose kur ka shqetësim me ciklin, apo shenja dhe simptoma të ndryshme që lidhen me problemet gjinekologjike. Bëhet një ekzaminim ekografik dhe një vizitë vaginale, si dhe në raste të tjera bëhen ekzaminime laboratorike si ato hormonale dhe disa markues të veçantë për të bërë diagnozën diferenciale, që për fatin e keq ka shumë shumë vite që as analizat hormonale, as markuesit nuk bëhen në laboratorët shtetërore të spitaleve, duke u krijuar një kosto direkte pacientëve dhe duke vënë në vështirësi edhe personelin mjekësor në vënien e diagnosës kur këta pacientë nuk kanë mundësi që t’i bëjnë këto analiza privatisht.

Në këto raste bëhet edhe analiza e shtatzënisë në ato femra që janë në moshën e riprodhimit dhe janë seksualisht aktive, për të përjashtuar ndonjë shtatzëni të hershme jashtë mitre.

Edhe në këtë rast më së shumti përdoret testi i shtatzënisë në urinë dhe jo ai standard dhe i sigurtë që është testi i shtatzënisë në gjak ose, sikurse njihet ndryshe βHCG, sepse ky i fundit nuk bëhet në laboratorët shtetëtore në çdo spital të vendit që nga maternitet në rrethe deri të maternitetet universitare në Tiranë.

Në fakt, po qe se shteti do t’i realizonte këto analiza hormonale, makruesit etj në laboratorët e shtetit do kushtonin shumë shumë pak në krahasim me sa paguajnë pacientët privatisht.

Trajtimi

Në përgjithësi kur këto kiste të ovareve nuk japin shqetësime dhe nuk krijojnë probleme, atëherë vetëm monitorohen, si në rastet e kisteve të korpus luteumit që thamë që mund të jenë deri në 6 cm, dhe në më shumë i bëjmë rivlerësim sesa ndërhyjmë për të dhënë trajtim të caktuar.

Në rastet e çrregullimit të ciklit menstrual, trajtimi fokusohet në rivendosjen e ciklit menstrual normal. Në raste e mosngeljes shtatzënë pasi është tentuar 2 vjet, atëherë trajtohet për këtë problematikë.

Si përfundim, kur japin shqetësime dhe probleme, atëherë duhen trajtuar në varësi të problemit, në rrugë terapeutike ose kirurgjikale.

Ndërsa në kistet e mëdha, sikurse ishin kistadenomat, kërkohet ndërhyrje kirurgjikale sepse ilaçet këtu në këtë rast nuk kanë asnjë efekt.

Duhet të kemi shumë kujdes edhe ne si mjekë, që të jemi shumë të matur në dhënien e ilaçeve të ndryshme apo vendosjen e llojit të trajtimit, që të mos nxitohemi për të bërë një rregullim të menjëhershëm pa marrë në konsideratë të mirë tërë historinë mjekësore të pacientes, moshën, dhe problemet që këto kiste i kanë dhënë, kohëzgjatjen e problemit etj. Ka raste kur në klinikën praktike shihet një tendencë direkt në mjekim sesa në vlerësim të rasteve, analizim kliniko shkencor dhe informim të mirëfilltë/edukim të pacientit në mënyrë që të ndërhyjmë me trajtim vetëm atëherë kur duhet dhe në konsesus të plotë me pacientin.

Në rastet e kisteve të ovareve malinje, që për fat të keq këto raste diagnostikohen shumë vonë, pra në stade të avancuara, dhe po prapë për fat të keq ne e kemi shumë mjerueshëm onkogjinekologjinë në infrastrukturë dhe mundësi trajtimi.

Në këto raste duhet konsultë e mirëfilltë, shpesh edhe multidisiplinare, si dhe plotësim të plotë me tërë ekzaminimet laboratorike dhe imazherike së bashku me interpretimet e tyre profesionale.

Tashmë është fakt që, për fat të keq, shëndetësia jonë është kthyer shumë komerciale dhe kjo bën që shpesh edhe të ndërmerren hapa të nxituara, duke qenë se në disa raste nuk mund të ndërhyjmë, por vetëm të veprojmë me mjekësinë paliative.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Prsh
    Une Kam 13 vjet martese dhe prej kisteve me une qe Kam ne vezore ne madhesite 55 dhe 45 mm nuk Kam arritur ne nje shtatzani. Ka mare shume mjekime dhe asnjeri ska dhene efekt. Me Kane thene qe mundesia e fundit me mbetet operazioni. Ju lutem me jepni nje mendim
    Ju faleminderit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button