Nuk bën të bëhet plagjiaturë e lajmeve, mirëpo nuk bën të kërkohet as monopol mbi lajmet

Kohët e fundit, gazetarët në Maqedoni janë duke zhvilluar një debat të ashpër për plagjiaturën e punimeve të tyre. Madje është hapur edhe një grup i veçantë në Facebook, ku gazetarët publikojnë tekste për të cilat konsiderojnë se u janë marrë me plagjiaturë (ose u janë “vjedhur”), e pastaj zhvillohen debate të ashpra. Në esencë, nxitja e vetëdijes për atë se çka është origjinale, e çka plagjiaturë në gazetari, është gjë e mirë, për shkak se çdo gazetar profesionist ka për obligim etik të mos bëjë plagjiaturë dhe të sillet me respekt ndaj punës së kolegëve të tij.

 

Shkruan: Biljana Iliq

Për fat të keq, kur njeriu do të futet në analizën e shembujve të “vjedhjeve” për të cilat alarmojnë gazetarët, përveç marrjeve të qarta jolegjitime të përmbajtjeve origjinale nga mediet e tjera (ndonjëherë madje edhe pa e theksuar burimin, që gjithsesi është e barabartë me vjedhjen), regjistrojmë edhe shumë raste të kuptimit të gabuar për atë se çka, në fakt, është plagjiatura në gazetari. Kështu, në shumë raste, gazetarët mundohen që si punim të vetin origjinal gazetaresk t’i konsiderojnë lajmet dhe raportet e krijuara në bazë të komunikatave të shkruara (të kopjuara, domethënë), nga buletinet e institucioneve (më i popullarizuar është buletini i MPB-së), nga të ashtuquajtura fleta nga konferencat për shtyp që jepen pas përfundimit të konferencave për shtyp, e të ngjashme. Рuna shkon deri atje sa ndonjëherë shpejtësia e publikimit të lajmeve të këtilla konsiderohet si faktor kyç dhe eliminues për të caktuar se çka është “origjinale”, e çka kopje – dikush që i pari e ka publikuar një lajm të marrë nga buletini i MPB-së konsideron se ka krijuar vepër origjinale dhe se të gjithë të tjerët, kanë bërë plagjiaturë të veprës së tij. Kështu vijmë deri te situata absurde ku shumë gazetarë konsiderojnë se kanë monopol edhe mbi vetë lajmet për ngjarjet e caktuara.

Ç’ËSHTË EKSKLUZIVE, Ç’ËSHTË PRONË PUBLIKE

Hutia e qartë, përveç nga mosdurimi i ndërsjellë i gazetarëve, vjen edhe nga mosgatishmëria për ta pranuar faktin se në momentin kur një medie lajmin për një ngjarje të caktuar e publikon për opinioni, dhe me këtë rast, nëse ka mundësi, merr para, e nëse nuk mundet “e shpërndan” falas – ai bëhet pronë publike. Ose, thënë në mënyrë më precize: lajmi për një ngjarje bëhet pronë publike, mirëpo jo edhe mënyra në të cilën është përpunuar ai nga ana e gazetarit. Lajmi për një fatkeqësi tragjike të komunikacionit nuk është dhe nuk mund të jetë pronë ekskluzive e askujt, pa marrë parasysh se kush e ka publikuar atë i pari ose ndoshta ka ndodhur në vendin e ngjarjes. Sikur të ishte ndryshe, a do të mundej lajmi për këtë ngjarje ta publikojë korrespondenti i ndonjë medie të huaj?

Gazetarët kanë jo vetëm të drejtë legjitime, por edhe obligim profesional, që të informohen nga burime të ndryshme, ku bëjnë pjesë edhe mediet e tjera. Informacionet që do t’i kuptojnë për ngjarjet mund t’i shfrytëzojnë lirisht – nën kushte të caktuara, të cilat janë njohura mirë (atribuimi i saktë, vendosja e linkeve etj), mund t’i përcjellin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose t’i pasurojnë lajmet duke përdorur burime të tjera, me hulumtime plotësuese, me kontekstualizim dhe duke përdorur informata të ashtuquajtura të bekgraundit. Me këtë rast, çdokush duhet ta respektojë mundin e kolegëve të tij dhe origjinalitetin në qasje dhe në përpunimin e temave. Këtu, për fat të keq, nuk mundemi të lavdërohemi shumë.

E keqe është edhe ideja që agregatorët (përmbledhësit) e lajmeve t’i trajtojmë si “plagjiatorë” dhe të trillojmë pengesa ligjore dhe etike që ato t’i marrin lajmet nga publikimet elektronike (le ta përdorim për herë të parë termin e ri që e parasheh ligji i ri për medie), përderisa vizitorët e tyre i çojnë në mënyrë të drejtpëdrejtë në ueb-faqet prej ku janë marrë lajmet. Po, portalet e lajmeve me të drejtë janë të pakënaqur për shkak se në atë mënyrë agregatorët, pa shumë mund, krijojnë ueb-faqe në të cilat vendosin reklama dhe fitojnë para të mëdha, mirëpo kjo është kështu për shkak se portalet e lajmeve nuk përpiqen që bashkërisht t’ua bëjnë me dije shpallësve dhe agjencive të marketingut se shpallja në ueb-faqen e agregatorit në vend se te ueb-faqja e portalit informativ prej ku është marrë lajmi, është sikur të reklamohet në dritaren e kioskut, në vend se në gazetën që shitet aty.

OSE PORTAL OSE AGJENCI

Siç dëgjuam para do kohësh, ka njëfarë iniciative për ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat autoriale, me të cilat gjoja do të rregullohen këto çështje dhe do të vendoset një farë “rendi” në këtë lëmi. Kjo nuk është ide e keq, mirëpo vetëm nëse kihet kujdes që me rregullat e reja të lojës të mos vendosen kufizime të paqëndrueshme për përmbajtjet e medieve. As që guxon, e as që mund të kufizohet e drejta për të pasur qasje në ngjarjet, madje edhe atëherë kur burim janë mediet. Në qoftë se dikush përpiqet ta pengojë këtë qarkullim normal të informacioneve, bile edhe sikur të mbyllen agregatorët, të flasim hipotetikisht, “problemi” do të mund të zgjidhej në mënyrë shumë të thjeshtë – dikush në Facebook do të formojë grup që do të quhet, le të themi, Lajme dhe ngjarje ditore, dhe atje pa asnjë kufizim do t’i postojë të gjitha informacionet që i ka marrë me “copy-paste” nga publikimet elektronike dhe nga edicionet onlajn të medieve të shkruara dhe të televizioneve. Kështu, kjo medie e re do të bëhet e pakufizuar dhe burim legjitim i informatave, i cili nuk do të mund të kontestohej as juridikisht, e as moralisht (deri sa nuk ka kontroll edhe mbi interneti, që ndoshta edhe është e mundur në vendet si Maqedonia).

Në fund, çdokush që mendon se vepra e tij autoriale gazetareske vlen para, ka vetëm një mundësi të sigurt që ta vërtetojë këtë – më mirë është të përpiqet ta shesë. Mediet në internet nuk munden njëkohësisht të sillen edhe si portale lajmesh që publikojnë informacione falas, edhe si agjenci informative, që do të donin të paguheshin për lajmet dhe përmbajtjet tjera që i prodhojnë. Ai që e ka ndërmen në këtë mënyrë ta vlerësojë mundin e tij, thjesht duhet t’i mbyllë përmbajtjet për sytë e publikut të gjer dhe lajmet t’ua shesë atyre që janë të interesuar t’i blejnë. Ashtsi siç bëjnë, në fakt, agjencitë e mirëfillta të lajmeve.

E gazetarët padyshim duhet ta kultivojnë origjinalitetin e tyre, mirëpo para së gjithash nëpërmjet mënyrës se si raportojnë, analizojnë dhe komentojnë, ku do të shihet kreativiteti dhe talenti i tyre. Në pjesën më të madhe të medieve, veçanërisht te portalet e lajmeve, tashmë janë futur praktika të mira të respektimit të mundit gazetareskt të gazetarëve të tjerë, kështu që gazetarët përpiqen jo vetëm që t’i theksojnë burimet prej ku i marrin lajmet, por edhe me linke t’i “ridërgojnë” vizitorët e tyre te përmbajtja burimore. Këto praktika duhet të pasurohen dhe të thellohen edhe më shumë. Gabime dhe shkelje të qarta, ka pasur dhe do të ketë, mirëpo me rëndësi është të kultivohet trendi. Dhe gjithsesi, duhet të zhvillohet luftë këmbëngulëse dhe e përditshme me ato medie që thjesht sillen si piratë, të cilat në mënyrë të vrazhdë dhe të dhunshme marrin madje edhe analiza dhe kolumna nga mediet konkurrente, duke u munduar në këtë mënyrë të fitojnë me lehtësi nga mundi i huaj.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button