Avioni i humbur, kërkimet në javën e tretë

Kërkimet për avionin e humbur të Malasya Airlines kanë hyrë në javën e tretë, me skuadrat e shpëtimit që po mbikëqyrin detet e largëta të Oqeanit Indian.

Satelitët zbuluan disa pjesë të avionit dy ditë më parë, rreth 2500 kilometra në jug-perëndim të Perthit, në Australi, por avionët deri tani nuk kanë arritur t’i rekuperojnë objektet.

Fluturimi “MH370” humbi kontaktin me radarët një orë pasi kishte lënë Kuala Lumpurin për në Pekin më 8 mars.

Autoritetet e Malajzisë dyshojnë se avioni ka ndryshuar kurs. Kërkimet në Oqeanin Indian po drejtohen nga Autoriteti Australian i Sigurisë Detare, AMSA.

Ajo vendosi gjashtë avionë për të mbikëqyrur zonën ditën e shtunë, për të kërkuar në një zonë me përmasat e Danimarkës. Ndërkohë, mjete lundruese shtesë janë ofruar nga Kina, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar, që do të bashkohen me to në kërkime.

“Bëhet fjalë për zonën më të paaksesueshme që mund të imagjinoni në rruzullin tokësor. Por nëse atje ka diçka, atëherë ne do ta gjejmë”, deklaroi kryeministri australian Tony Abbott.

“Ne u detyrohemi familjeve dhe miqve të të humburve dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të zgjidhur këtë çështje kaq komplekse”, vijoi kryeministri.

Çdo avion është në gjendje të kërkojë jo më shumë se dy orë për shkak të distancës nga toka, ndërsa moti i keq ditën e enjte pengoi kërkuesit të përdornin radarët dhe të premten avionët fluturuan nën re për të pasur pamje. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button