Mbrëmë VMRO tregoi pse shqiptarët nuk duhet të bashkëpunojnë me të (VIDEO)
Protesta e mbrëmshme para KSHZ-së nuk ishte thjeshtë përkrahje e simpatizantëve të VMRO-DPMNE-së për partinë që janë përcaktuar. Por ishte retorikë për ta frikësuar popullin “në emër të popullit”; ishte metodë për të bërë presion mbi KSHZ-në, si institucion i pavarur. Por jo vetëm, gjatë protestës vlonin thirrje të tmerrshme si “Qose është gjallë” dhe gjithandej jehonin këngë anti-shqiptare.
Analistët vlerësojnë për Portalb se protesta e mbrëmshme nuk ishte diçka e re, pasi VMRO-DPMNE këtë metodë po e përdor tashmë një kohë të gjatë. Sipas tyre, partitë politike shqiptare kanë faj që e lejuan këtë tashmë një kohë të gjatë. Andaj është koha që t’i kundërpërgjigjen.
Analisti politik, Alajdin Demiri vlerëson se VMRO-DPMNE-ja e ka instaluar “Presionin e rrugës” si metodën më të re dhe njëherit më efikase të veprimit politik qysh prej organizimit të kundër-protestës së parë.
“Tashmë ikonografi e veprimit të VMRO-së është bërë rruga, rruga në të cilën eskalojnë të gjitha llojet e nacionalizmave dhe presionit kundër punës së institucioneve të pavarura. Presioni që të fitojë me çdo kusht… presioni i rrugës që është non sense dhe në asnjë shtet demokratik nuk ekziston” tha Demiri.
Po aq të njohura sa “Presioni i rrugës” sipas Demirit, janë edhe thirrjet anti-shqiptare të cilat e ndihmojë VMRO-DPMNE-në të fitojë poena politike dhe që siç tha “duket se bëhet edhe me leje të partnerit të koalicionit të tyre, BDI-së”.
“Natyrisht që ato janë kundër bashkëjetesës, ato janë kundër themeleve të shtetit. Mirëpo tani për tani është metodë profitabile për VMRO-në”shtoi.
Edhe analisti politik, Ismet Ramadani është i mendimit se VMRO-DPMNE-ja ka sukses me retorikën nacionaliste populiste dhe se pikërisht kjo i ndihmoi në zgjedhjet e fundit. Sipas tij, jo vetëm që brengos fakti se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve maqedonas u përcaktuan për këtë parti, përkundër ofertës së partisë tjetër për reformim dhe zhvillim të vendit. Gjithsesi, më shqetësues është qëndrimi i partisë politike shqiptare që për vite me radhë ishte partner koalicioni.
“Në palën shqiptare kemi edhe parti politike BDI asnjë moment nuk i dha grusht politik, por shumë vite e pranoi atë retorikë dhe sot nuk ka ndonjë vendim më të prerë për tu distancuar nga qëndrimi anti-shqiptar dhe anti-evropian i VMRO-DPMNE-së, me elemente gjithnjë e më të theksuara pro-ruse” tha Ramadani.
Partitë politike shqiptare t’i kundër-përgjigjen Gruevskit me bojkot!
Analistët theksojnë nevojën që partitë politike shqiptare “t’ia tregojnë dhëmbët” Nikolla Gruevskit, duke e bojkotuar në mënyrë që të mos mund të formojë qeveri edhe pse doli fitimtar i zgjedhjeve. Kështu pasi VMRO-DPMNE është parti e pastër nacionaliste, anti-shqiptare e madje edhe anti-evropiane.
“Kundër-përgjigje më e mirë e të gjitha partive politike shqiptare do të ishte mos koalicionim me VMRO-në, ta lënë vetë dhe që të mos dijë se çfarë t’i bëjë fitores. D.m.th. duhet të bojkotohet VMRO-ja me këtë platformë, me këto metoda pune dhe duhet të vihet në pozitë që të mos mund të krijojë qeveri” theksoi Demiri.
“Është koha që me faktorin ndërkombëtar, ne si shqiptarë bashkë me opozitën maqedonase të vihemi në pozitë paravani, që në asnjë mënyrë të mos lejojmë që ata të fuqizohen institucionalisht dhe të keqpërdoren institucionet edhe më tutje për të ruajtur këtë regjim që për vite me radhë e vendosi kjo qeveri” porositi Ramadani.
Sipas Ramadanit, ndonëse thirrjet anti-shqiptare e dëmtojnë imazhin e bashkëjetesës në vend, ato nuk paraqesin rrezik për luftë-qytetare. Kështu, pasi VMRO-DPMNE-ja është e bindur se në një luftë të mundshme me shqiptarët e Maqedonisë, do të kyçeshin edhe Kosova e Shqipëria (si anëtare e NATO-s) dhe do të dilte humbëse. Andaj sipas tij, nuk ka vend për panikë.
Në vijim ju rikujtojmë pjesë të deklaratave të mbrëmshme:
“Anëtarët e KSHZ-së duhet të dinë se sonte e bartin përgjegjësinë më të madhe dhe nga ta varet se a do të jetë ky shtet normal dhe me prosperitet. Të mos mendojnë se ky popull ka fuqi që të tolerojë më shumë” kërcënoi bartësi i listës për kandidatët për deputetë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Kryetarja e Komisionit për Marrëdhënie Fetare, Valentina Bozhinovska, mbrëmë përpara Komisionit Shtetëror Zgjedhor dërgoi kërcënime deri te opozita dhe te KSHZ, që sipas saj, të kenë kujdes se si vendosin për ankesat dhe të mos mendojnë që ta anulojnë sipas saj, vullnetin e qytetarëve. Në të kundërtën, tha se “do të jetë natë e thikave të gjata.”
Kandidati për deputet i VMRO-DPMNE-së, Amdi Bajram kërcënoi drejtpërsëdrejti liderin e LSDM-së me fjalët: “Zaevi shumë afër do ta ketë funeralin. Shumë shpejt do t’i vjen varrosja. Do të jetë në kardiologji, do të pësojë infarkt për disa ditë. Atje do të shkojmë për vizitë. Do t’i ndezim qirinj edhe në varreza”,
Madje drejtori i Arkivit Shtetëror nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Filip Petrovski kërcënoi ambasadorin amerikan, Xhes Bjeli me fjalët: “Largohu nga Maqedonia, mos na provoko më, në Maqedoni fitoi populli maqedonas. Mos i prish marrëdhëniet mes dy vendeve, edhe ashtu je në ikje. Nuk do të shkojmë derisa nuk shpallni fitore”./Portalb.mk