Thaçi: Mjaft kemi vuajtur nga urrejtja, është koha për pajtim ndëretnik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur sot Këshillin Konsultativ për Komunitete, ku kanë mbajtur mbledhje të përgjithshme, në të cilën u fol për vitin 2016.

Në këtë mbledhje, presidenti ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku ka kërkuar që të jenë pjesë e procesit të normalizimit të këtyre marrëdhënieve dhe të pajtimit ndëretnik brenda Kosovës.

“Ne mjaft kemi vuajtur prej urrejtjes e konfrontimeve, prandaj secili duhet të shikojë nga e ardhmja zhvillimore.

Të gjithë duhet të fokusohemi që të ndodh pajtimi ndëretnik në Kosovë, si parakusht për jetë të përbashkët për zhvillimin e Kosovës, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale të çdo qytetari të Kosovës”, ka thënë ai, transmeton Albeu.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo mund të ndodh vetëm duke u angazhuar të gjithë.

“Unë ndihem mirë që kurdo që kemi kontakte me të gjitha komunitetet shoh atë vullnet për të jetuar në Kosovën e re, për të jetuar bashkërisht dhe për t’u ndier mirë dhe krenar me vendin e tyre Kosovën, pavarësisht dallimeve etnike”, ka shtuar ai.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Gazmen Salijević ka falënderuar presidentin e Republikës së Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë këtij Këshilli.

Ai ka thënë se Këshilli ka për qëllim promovimin e tolerancës komunikimit ndëretnik dhe zhvillimit të një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Në mandatin tonë, së bashku me të gjithë anëtarët e këtij Këshilli, promovojmë mesazhe për tolerancë, për një komunikim më të mirë, ndërtim të besimit ndëretnik në Kosovë”, ka shtuar ai.

Presidenti ka falënderuar ata për punën që janë duke bërë në promovimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë, duke inkurajuar ata që të punojnë edhe më shumë së bashku për forcimin e shtetit të Kosovës, përmes promovimit të këtyre vlerave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button