Ethet pas-zgjedhore: A do të ketë koalicion gjithë-shqiptar në Maqedoni?!

Qeveri e formuar nga VMRO-DPMNE me partitë shqiptare ose qeveri e formuar nga LSDM me partitë shqiptare, qeveri e koncentruar ose qeveri ekspertësh… një nga këto opsione do të jetë fati i Republikës së Maqedonisë, që do të vijë në jetë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Por një gjë është e sigurt: partitë politike shqiptare asnjëherë më parë nuk kanë pasur rast më të favorshëm, që t’i kushtëzojnë partitë politike maqedonase për çështje shtetërore (siç është zhvillimi ekonomik, integrimi në BE dhe NATO, departizimi i gjyqësorit) dhe çështje kombëtare shqiptare (siç është gjuha shqipe, ndarja proporcionale e buxhetit, barazia para ligjit).

Njohësit e çështjeve politike në vend janë të ndarë në bindjet e tyre, ashtu që disa besojnë në bashkimin e partive politike shqiptare në një koalicion të përbashkët gjithë-shqiptar, kurse të tjerët nuk besojnë se një gjë e tillë do të ndodhë, shkruan Portalb.

Imer Selmani
Imer Selmani

Të tejkalohen kapriçot dhe inatet personale, sepse është rast unik, shancë për të formuar koalicionin gjithëshqiptar, i porosit paritë politike shqiptare njohësi i çështjeve politike në vend, Imer Selmani.

“Shihet qartë se raporti i numrave të deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë tek dy partitë politike maqedonase do të jetë baraz ose do të kenë dallim për një ose dy deputetë. Partitë politike shqiptare duhet të gjejnë modelin më ideal të koalicionit dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për çështjet madhore kombëtare dhe shtetërore, të cilët edhe ashtu ata i kanë të njëjta apo shumë të ngjashme” tha Selmani.

Sipas Selmanit, koalicioni gjithë-shqiptar jo vetëm që është i mundur, por është i domosdoshëm. Sipas tij, është koha të shohim liderë të vërtetë që do të marrin përgjegjësi, për të cilën do të shpërblehen dhe liderë shkurt-pamës, që do të ndëshkohen nga qytetarët.  Kështu pasi vetëm katër muaj na ndajnë nga zgjedhjet e rregullta lokale, ndërsa shumë shpejt mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Visar Ademi
Visar Ademi

Nga ana tjetër, Visar Ademi thotë për Portalb se shqiptarët jo që nuk munden të bëjnë koalicion, por historikisht kanë dëshmuar se nuk kanë kapacitet bashkimi, respektivisht dëshirë për t’u bashkuar.

Andaj sipas tij janë të mundshëm skenarët në vijim:

  1. Krijimi i qeverisë nga ana e VMRO-DPMNE-së me partitë shqiptare;
  2. Krijimi i qeverisë nga ana e LSDM-së me partitë shqiptare;
  3. Krijimi i një qeverie ekspertësh dhe
  4. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

“Opsioni më i mirë në dobi të shqiptarëve është krijimi i qeverisë nga LSDM-ja me të gjitha opozitat duke e izoluar BDI-në” theksoi Ademi.

Sipas Ademit, është e mundur të ndodh edhe luftë civile, pasi VMRO-DPMNE nuk do ta lëshojë lehtë qeverinë, ndërsa LSDM që dëshiron ta marrë qeverinë nuk ka guxim të përballet me të.

Robert Nesimi
Robert Nesimi

Robert Nesimi beson se të gjitha partitë që fituan mandate do të jenë pjesë e qeverisë së re.

“Unë mendoj se asnjë parti maqedonase nuk ka kapacitet të formojë qeveri vetë. Dhe mendoj se të gjitha partitë që kanë fituar ulëse në Parlament do të hyjnë në qeveri. Rezultati është aq i afërt sa nuk shoh rrugë-dalje tjetër. Është koha të zgjidhen disa çështje të mëdha” theksoi Nesimi.

As Mersel Bilalli nuk e përjashton mundësinë e formimit të një qeverie të koncentruar, pjesë e së cilës do të ishin të gjitha partitë politike dhe koalicionet që kanë fituar mandate në Parlament, si VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Rilindje me Besë, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH. Por kjo qeveri nuk do të ishte funksionale dhe nuk do të kontribuonte aspak në zhbllokimin e gjyqësisë, si një nga  parakushtet për stabilizimin e gjendjes.

Mersel Bilalli
Mersel Bilalli

Opsion tjetër i mundshëm sipas Bilallit, është që partitë politike shqiptare të koalicionojnë me LSDM-në dhe t’i thonë “JO” VMRO-DPMNE-së, e cila edhe ashtu nuk mund të formojë qeveri, madje jo vetëm për shkak të numrit të deputetëve. Kështu pasi lideri i kësaj të fundit sipas Bilallit, është patron i krimit të organizuar, që këtë krimin e mbron duke e maskuar me nacionalizëm ndaj shqiptarëve.

“Nuk duhet t’i japim relevancë një patroni të krimit të organizuar, na shkoi rinia jashtë nga kërcënimet e Gruevskit për gjoja destabilizim” theksoi Bilalli.

“Partitë shqiptare nuk duhet të heshtin. Veçanërisht BDI-ja duhet haptazi të del dhe të thotë se Gruevksi vetë i ka varrosur mundësitë për koalicionim me të, me çka në VMRO-DPMNE do të hapej konflikt i brendshëm” tha ai, “sepse informatat e mia flasin se vlon edhe në atë parti”.

Sipas Bilallit zgjidhje e pjesërishme do të ishte qeveria e ekspertëve me mandat 1 vjeçar, programi i së cilës do të ishte reformimi radikal i gjyqësisë. Ndërsa roli i ndërkombëtarëve do të jetë sërish vendimtar./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button