Tahiri: Muri në Mitrovicë do të hiqet

Ministrja për Dialog Edita Tahiri, ka bërë me dije sot, se Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për të zgjidhur problemin e krijuar në Mitrovicë, ku është ndërtuar një mur ilegal duke cenuar lëvizjen e lirë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se ministrja Tahiri ka njoftuar se po punojmë së bashku me Bashkimin Evropian për zgjidhjen e këtij problemi, duke siguruar se nuk do të ketë mur në qytetin Mitrovicës.

“Ky mur do të hiqet dhe i gjithë procesi i revitalizimit të urës dhe rrugës për këmbësor në anën veriore të qytetit do të realizohet në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës konsideron se ndërtimi i këtij muri ilegal është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit të datës 25 gusht 2015.

“Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe Plani për revitalizimin e urës së Ibrit që është nënshkruar më 25 gusht 2015 në Bruksel parasheh heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës nga ana e BE-së, si dhe revitalizimin e rrugës kryesore të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës që sipas marrëveshjes do të jetë rrugë për këmbësor (shëtitore) që është kompetencë e komunës, sipas ligjeve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tahiri poashtu bën të ditur se në lidhje me këtë zhvillim ilegal, Qeveria nuk ka pasur njohuri, përveç në momentin kur është shfaqur ai mur ilegal në mbrëmjen e 6 dhjetor 2016.

“Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masat ligjore për ndaljen e punimeve të cilat edhe janë ndalur që nga data 7 dhjetor 2016, kur është nxjerrë vendimi i Qeverisë së Kosovës përkatësisht i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i cili i është dërguar autoriteteve lokale të Komunës. Poashtu MMPH vazhdimisht po bënë monitorimin e situatës përmes inspektorëve të vet zyrtar. Në të njëjtën kohë Policia e Kosovës është e angazhuar plotësisht për të ruajtur rendin dhe qetësinë duke marrë parasysh pakënaqësinë legjitime të qytetarëve për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit dhe frikën nga skenarët djallëzor të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Në fund të njoftimit thuhet se Qeveria e Kosovës siguron qytetarët se po punon maksimalisht së bashku me partnerët ndërkombëtar, Bashkimin Evropian, për zgjidhjen e këtij problemi, duke theksuar se procesi i revitalizimit të urës së Ibrit dhe rruga për këmbësorë në formën e shëtitores do të jetë plotësisht sipas Marrëveshjes së Brukselit, ku nuk do të ketë mur.

“Koha e mureve, kjo dukuri negative, nuk do të lejohet në shtetin tonë i cili në kushtetutën e vet ka vendosur themelet e shtetit demokratik, të lirive themelore dhe lëvizjes së lirë, të cilat askush nuk mund t’i cenojë.Qeveria e Kosovës ka arritur që deri tani t’i heq të gjitha barrikadat në veri të vendit, që kanë qenë mbi njëzetë sosh dhe po ashtu hoqëm edhe barrikadën nga ura e lumit Ibër, duke falënderuar dialogun e Brukselit dhe qëndrimin tonë konsekuent në këtë proces. Prandaj, edhe këtë problem do të zgjidhim, pa mure dhe pa vonesa, ka shprehur ministrja Tahiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button