Shkëndija kërkon pikët e reja

Futbollistët e skuadrës së Shkëndijës kanë shënuar në seri tre fitore të njëpasnjëshme, ndërsa ajo që gëzon më shumë të gjithë dashamirët e kësaj skuadre, se të gjitha fitoret u shënuan përballë ekipeve të kreut të tabelës dhe tani me atmosferë pozitive presin sfidën e radhës me skuadrën e Bregallnicës nga Shtipi. 

Me gjithë formën dhe ecurinë e mirë që ka skuadra, në ekip vazhdimisht thirret për ulje të euforisë, pasi çdo lëshim i panevojshëm mund t’i kushtojë shumë skuadrës. Fitoret përballë Vardarit, Rabotniçkit dhe Horizontit do të kenë vlerë vetëm nëse ekipi vazhdon me këtë ritëm dhe arrin të sjellë suksese të tjera. 

Pas dy ditëve të lira, futbollistët nga e mërkura janë përgatitur për takimin me Bregallnicën dhe përshtypja e të gjithëve është se do të jetë takim i vështirë. Kjo nga fakti se kundërshtarit i duhen shumë pikët në luftën për mbijetesë, ndërsa Shkëndija sikur më mirë luan me ekipe që preferojnë lojë të hapur, që nuk pritet të jetë në këtë rast. 

Si do që të jetë, stafi teknik beson se ka përgatitur mirë ekipin për çdo situatë dhe me ‘koka të ftohta’ do të synohet një tjetër tre pikësh. Në seancat stërvitore janë ushtruar skema të ndryshme, ndërsa pritet që ekipi të vazhdojë më ngritjen graduale të formës. 

“Besoj se do jetë ndeshje e mirë. Unë kam një parandjenjë pozitive dhe shoh mjaft entuziazëm në skuadër. Jemi në formë, luajmë shumë mirë dhe nuk shoh arsye mos të vazhdojmë me këtë ritëm. Kemi respekt për Bregallnicën dhe larg asaj se mendojmë se do të jetë e lehtë, mirëpo ne kemi planet tona, luajmë në teren vendas, do kemi mbështetje nga publiku ynë dhe natyrisht që presim fitore”, deklaroi sulmuesi brazilian i Shkëndijës, Zhunior. 

Të premten futbollistët kishin seancën e fundit stërvitore dhe më pas janë vendosur në ‘karantin’, duke vazhduar praktikën e tre përballjeve të fundit. Stafi teknik nuk ka problem me futbollistë të lënduar apo mungesa për shkak të kartonëve, kështu që i vetmi që mbetet jashtë listës është Demir Imeri. Përballja me Bregallnicën luhet sot me fillim në orën 15:00, ndërsa transmetim të drejpërdrejt do të ketë në TVM. / Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button