BDI riaktualizon premtimet, Kalaja e Tetovës mbetet një gërmadhë!

Muret prej guri të Kalasë së Tetovës, janë bërë pararojë e një brendie që i ngjanë një kështjellë të rrënuar. Ndonëse nga poshtë, muri i dhëmbëzuar, nga rënia e gurëve të vjetër, nuk bënë njeri të kthej kokën lartë për të parë Kalanë, brendia e saj është bërë një fushë e groposur, nga gërmimet arkeologjike që kanë filluar në vitin 2008.

Tryeza ushtarake, pjesa e mureve që përbejnë kupolat e harqeve të lidhura njëra me tjetrën, një tavernë e vjetër e improvizuar për të soditur gjithë peizazhin e Pollogut nga lartë, janë vetëm disa copëza arkitekturore, që përbejnë brendinë e Kalasë së Tetovës.

Një fotografi e bukur për Kalanë e Tetovës, në platformën zgjedhore të BDI-së, po ri-aktualizohet sërish në fushatë parazgjedhore. Premtimet e mëparshme, po ri aktualizohen në prag të zgjedhjeve, ndërkohë Kalaja e Tetovës, mbetet me vite një gërmadhë pa përkujdesje.

Në vitin 2009, filloi një projekt për konservimin e Tryezës Ushtarake, por deri më sot nuk është përfunduar.  Gërmimet e filluara në vitin 2008, kanë vazhduar deri më 2011 dhe prej atëherë nuk ka pasur gërmime. Dëshmi e punës së filluar mbeten gropat e hapura. Këtë e konfirmon edhe Luljeta Abazi nga Muzeu i Tetovës.

BDI-ja në platformën e saj parazgjedhore në vitin 2011, duke e ilustruar edhe me fotografi, premtoi se do të përfundojë konservimin e Tryezës Ushtarake, por kjo deri më sot nuk është bërë. 

Kalaja e Tetovës, ka mbetur edhe pa portën e saj kryesore. Si pasojë e fillimit të gërmimeve dhe fillimit të realizimit të premtimeve parazgjedhore të BDI-së, ajo u largua, për të mos u sjellë në vendin e saj edhe sot e kësaj dite.

Lajme të ngjashme

Back to top button