Bota dënon përgjakjen e Ukrainës

Bashkimi Evropian pritet të shqyrtojë sot sanksione kundër qeverisë ukrainase, teksa Polonia, Franca dhe Letonia kanë apeluar për masa të menjëhershme ndëshkuese.

Bashkimi Evropian ka thirrur për sot (e enjte) një mbledhje të jashtëzakonshme të 28 ministrave të Punëve të Jashtme të bllokut, në reagim ndaj shkallëzimit të krizës në Ukrainë.

Protestat antiqeveritare janë kthyer në gjakderdhje të martën, me të paktën 25 njerëz të vrarë dhe qindra të tjerë të lënduar, teksa protestuesit janë përleshur me forcat policore në sheshin kryesor të Kievit. Dita e përleshjeve ka qenë më e përgjakshmja që kur protestat kundër administratës së presidentit Viktor Janukoviç kanë nisur në nëntor. Përleshje ka pasur edhe gjatë të mërkurës.

Takimi i jashtëzakonshëm që BE-ja e ka thirrur të mërkurën pritet të shqyrtojë sanksione kundër qeverisë ukrainase, teksa Polonia, Franca dhe Letonia kanë apeluar për masa të menjëhershme, ka raportuar Reuters. “Ne… presim që masat e planifikuara kundër atyre që janë përgjegjës për dhunën dhe për përdorimin e forcës së tepërt të pranohen nga shtetet tona anëtare si një çështje shumë urgjente”, ka deklaruar të mërkurën kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Qeveritë e tjera perëndimore kanë bërë thirrje për përmbajtje. Nënpresidenti amerikan, Joseph Biden, i ka bërë thirrje Janukoviçit që t’i tërheqë forcat qeveritare dhe t’i adresojë “ankesat legjitime” të protestuesve. Ministri i Jashtëm britanik, William Hague, ka shkruar në Twitter se “dhuna kundër protestuesve paqësorë është e papranueshme”, ndërsa kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, është shprehur “shumë e shqetësuar” nga dhuna në ish-republikën sovjetike.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e udhëhequr nga Sergei Lavrov, po ashtu ka deklaruar nëpërmjet një komunikate, të mërkurën, se prijësit e opozitës ukrainase “duhet të ndalin gjakderdhjen”.

Presidenti ukrainas ka publikuar një komunikatë në internet, të mërkurën, nëpërmjet të cilës e ka akuzuar opozitën se po përpiqet ta rrëzojë atë me forcë. “Pa mandat nga populli, në mënyrë të paligjshme dhe në mospërputhje me kushtetutën, këta politikanë – nëse mund ta përdor këtë term – po varen në mjete të dhunshme në përpjekje për të marrë pushtetin në vend”, ka deklaruar ai.

“Unë i bëj përsëri thirrje udhëheqësve të opozitës… që të tërheqin një kufi ndërmjet tyre dhe forcave radikale që po provokojnë gjakderdhje dhe përleshje me shërbimet e sigurisë”, ka thënë Janukoviç. “Nëse ata nuk duan të largohen (nga sheshi i Kievit, v.j.), ata duhet të pranojnë se mbështesin radikalët. Atëherë diskutimet me ta do të jenë të një lloji tjetër”, ka paralajmëruar presidenti i Ukrainës, të mërkurën. Ai e ka shpallur të enjten ditë zyrtare të zisë për viktimat.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button