Kosovë: Zgjedhjet, në vullnetin Thaçi-Mustafa

Takimi mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe liderit të partisë më të madhe opozitare Isa Mustafa, i ka shuar të gjitha shpresat e partive më të vogla për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Iniciativa e nisur nga AAK-ja e Ramush Haradinajt tashmë mund të konsiderohet e dështuar. Megjithatë, burime të Tribunës, të afërta me AAK-në, kanë bërë të ditur se iniciativa për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë nuk është iniciativë krejtësisht personale e AAK-së.

“Iniciativa për mocion është shtyrë në fillim nga një ambasadë e fuqishme evropiane në Prishtinë, por kjo iniciativë e atij misioni diplomatik nuk e ka marrë besimin e misioneve tjera me ndikim në Kosovë. Ky mision diplomatik, megjithatë e ka shtyrë AAK-në për të vepruar”, ka thënë një zyrtar i lartë i AAK-së me kusht anonimiteti. I njëjti ka treguar se tani që mocioni i nisur nuk po merr mbështetjen as nga partitë tjera opozitare por as nga ndërkombëtarët, do të vulosë edhe njëherë bindjen se

Qeveria nuk mund të rrëzohet pa vullnetin e partive më të mëdha në vend, PDK-së dhe LDK-së. Pavarësisht, kësaj deputetët e AAK-së kanë vendosur ta bëjnë të tyren. Të martën, ata i kanë vënë nënshkrimet mbi mocionin për rrëzimin e qeverisë. Këtë e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Burim Ramadani. ”Bashkë me kolegët e Grupit Parlamentar të Aleancës, kam nënshkruar Mocionin e Votëbesimit ndaj Qeverisë. / Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button