Qeveria ka shpenzuar 9,5 milionë euro për Boshkovskin dhe Tarçulovskin

Me një kumtesë dërguar mediave, Lëvizja BESA shprehu sot revoltë ndaj partisë shqiptare në pushtet pse kishte lejuar që 9,5 milionë euro nga buxheti të harxhoheshin për mbrojtje, mbështetje dhe lobim për dy të akuzuarit për krime lufte në Tribunalin e Hagës, Lube Boshkovski dhe Johan Tarçulovski. Kështu, veçanërisht duke e ditur se Tarçulovski akuzohej për masakrën e Lubotenit të vitit 2001 (ku u vranë shtatë civilë shqiptarë), njofton Portalb.mk.

“Shpresuam se vetë BDI-ja do të reagojë dhe do të distancohen nga funksionarët e tyre, që kanë pasur detyrim që ta pengojnë ndarjen e kësaj shume marramendëse dhe të arsyetohen se nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Pritëm që kryetari i asaj partie, Ali Ahmeti, të dalë dhe të kërkojë falje para shqiptarëve, për shkak se ka qenë në funksion të mbrojtjes të kriminelëve të akuzuar për krime ndaj shqiptarëve të Lubotenit. Mirëpo, kjo gjë nuk ndodhi dhe si duket nuk ka as për të ndodhur, sepse nuk po vërehet as shenja më e vogël e shqetësimit të tij dhe të bashkëpartiakëve të tyre. Rrjedhimisht, kjo do të thotë se Ahmeti dhe BDI-ja e kanë përkrahur ndarjen e milionave për mbrojtjen e kriminelëve të dyshuar dhe të dënuar. A ka ironi më të madhe që mjetet nga buxheti, ku derdhen edhe kontributet e lubotenasve, të shfrytëzohen për mbrojtje të vrasësve të tyre? Nëse BDI-ja ka përkrahur një gjë të tillë, kjo tregon se ata nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Nëse nuk kanë mundur ta pengojnë, kjo tregon se ata nuk janë të aftë t’i dalin zot votës shqiptare” shkruan në kumtesën e Lëvizjes BESA dërguar mediave.

Nga Levizja BESA sqaruan se me aq para sa janë ndarë për dy të akuzuarit, do të mund t’u sigurohej kompensim mujor për 82 familje të dëshmorëve dhe 175 invalidëve të UÇK-së edhe të për 40 vitet e ardhshme.

Portalb po pret koment nga zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Ndryshe, si Boshkovski ashtu edhe Tarçullovski janë kandidatë për deputetë në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare./Portalb.mk 

LEXO: Maqedoni, ish kundër-zbuluesit në listat e kandidatëve për deputetë

Hulumtimin e plotë të BIRN mund ta lexoni në vijim:

Zbulim skandaloz! Maqedonia mbështeti kriminelët e luftës me shuma të mëdha parash!

Shuma që qeveria maqedonase ka dhënë në mbështetje të dy të akuzuarit e saj për krime lufte nga Gjykata e Hagës, ish-ministrit të Brendshëm Lube Boshkovski dhe policit Johan Tarçullovski, është ndoshta sekreti më i madh në vend, shkruan BIRN.

Qeveria nuk i është përgjigjur kërkesave për qasje në të dhëna. Njësoj ka vepruar edhe ministria e Drejtësisë.

Por, zyrtarët e tanishëm dhe ish-zyrtarë i kanë ofruar të dhëna BIRN-it, të cilat sugjerojnë se paratë që janë shpenzuar për kostot që lidhen me gjykimet e dy personave në Hagë, ndihmën e dhënë familjeve të tyre dhe ndejat mirëseardhëse megalomane të cilat ishin organizuar pas lirimit të tyre ka shkuar deri në 9,500,000 euro.

Shuma është tronditëse nëse krahasohet me atë që Bosnja, Kroacia dhe Serbia kanë shpenzuar për të ndihmuar mbrojtjen e qytetarët e tyre të akuzuar për kryerje të krimeve të tmerrshme në luftërat që zgjatën me vite dhe jo vetëm disa muaj.

Qeveria maqedonase ka shpenzuar miliona euro në mbështetjen e dy personave në fjalë nga viti 2005, kur ata ishin të arrestuar, deri në vitin 2013, kur Tarçullovski u lirua nga burgu pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

BIRN u ka dërguar kërkesa zyrtare qeverisë maqedonase, ministrisë së Drejtësisë, avokatëve dhe familjeve të dy personave, duke kërkuar nga ta të tregojnë sa para janë shpenzuar në mbrojtjen e tyre, shpenzime procedurale , shpenzime për familjet e tyre, vizitat në Hagë nga figura të larta politike nga Maqedonia si dhe ceremonitë mirëseardhëse në Shkup.

Pavarësisht detyrimeve ligjore për qasje në dokumente të tilla, qeveria dhe ministria e Drejtësisë nuk janë përgjigjur. Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti dhe zëdhënësi i tij nuk e kanë hapur telefonin dhe nuk janë përgjigjur email-ave të dërguar nga BIRN.

Arsyet për këtë heshtje janë politike, tha një zyrtar i qeverisë i cili kërkoi të mbetej anonim.

“Kjo është çështje e ndjeshme dhe mund të shkaktojë reagim të veteranëve të caktuar ushtarakë”, tha burimi qeveritar për BIRN-in, duke shpjeguar se ushtarët maqedonas dhe policë që duan kompensim për lëndimet që kanë përjetuar gjatë konfliktit, si dhe të ish-luftëtarë shqiptarë që kanë kërkuar pension shtetëror, mund të shkaktojë probleme për autoritetet në qoftë se mësojnë sa para janë shpenzuar.

“Jam përpjekur të marrë të dhënat që mi keni kërkuar, por menjëherë më thanë se këto të dhëna janë rreptësisht konfidenciale dhe nuk duhet t’i kërkoja”, shtoi burimi i BIRN-it.

“Mu bë e qartë se si anëtar i komunitetit shqiptar [të Maqedonisë], nuk kam asnjë arsye për të kërkuar të dhëna për pagesën e parave për mbrojtjen e dy maqedonasve të cilët u gjykuan për krime lufte në Hagë”, tha burimi.

Shpenzimet e shtetit maqedonas për dy të akuzuarit e Hagës:   

Viti Qëllimi

Shuma në EURO

2006 Paratë fillestare për përgatitjen e mbrojtjes , dëshmitarëve , shpenzimet e udhëtimit , punësimin avokatët

1,000,000

2006 Shpenzime të familjeve, 50,000 për mbrojtjen Tarkulovskit , 100.000 euro për përkthimin e dokumenteve për mbrojtjen dhe gjetjen e dëshmitarëve

350,000 

2007 për punësimin e një avokati të dytë të huaj për gjykimin e shkallës së parë

500,000

2007 për shpenzime për dëshmitarë, përkthyes, dokumente

30,000 

2008-2011 310.000 € në vit për kostot shtesë (shumë vjetore e konfirmuar nga ish-ministri i drejtësisë Mihajllo Manevski)

1,200,000 

2008-2013 për punësimin e ekipit mbrojtës të SHBA për Tarkulovskin

3,500,000 

2009 Tarifat e avokatit për ekipet e mbrojtjes të dy burrave

100,000 

2010 Udhëtimi-Kthimi dhe festa mirëseardhëse për Boshkovskin , përfshirë aeroplanin dhe fushatë publike

50,000 

2010 Udhëtimi në  Hagë i delegacioneve nga qeveria, parlamenti, partia qeverisëse

50,000

2013 Udhëtimi-Kthimi dhe festa mirëseardhëse për Tarkulovski ,përfshirë aeroplanin, fushatë publike, postera e billboarda

200,000 

2013 Lobimi i kontratave

2,500,000 

TOTALI:

9,480,000

Burimi: Birn 

Ngelen të pakonfirmuara – Ndihmë financiare për familjet e burrave në një periudhe shtatë vjeçare. Shuma e saktë nuk dihet, mund të jetë më e madhe se 200,000 euro.

Shënim për burimet: Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë injoroi kërkesat e BIRN-it për të dhëna zyrtare. Kjo listë e shpenzimeve është bazuar në deklaratat e ish- kryeministrave , ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë të cilët kishin qasje në fondet që janë paguar për shpenzimet. Deklaratat të juristëve janë përdorur edhe në këto kalkulime edhe pse kontratat e tyre janë mbajtur sekret nga qeveria.

Politika dhe propaganda

Edhe pse Tarçullovski u dënua për krime të lufte, disa maqedonas e shohin atë si hero kombëtar, i burgosur padrejtësisht për mbrojtjen e vendit të tij.  Por, shumica e komunitetit shqiptar të Maqedonisë e fajësojnë atë për vuajtjet që ai shkaktoi gjatë konfliktit të vitit 2001.

Rasti i tij mbetet politikisht i ndjeshëm pasi tensionet etnike në vend ende zien dhe zbulimi se sa para janë shpenzuar për një maqedonas, i cili ka kryer krime lufte kundër shqiptarëve mund të shkaktojë pakënaqësi tek kjo pakicë.

Është po ashtu e ndjeshme për faktin se partia etnike shqiptare e cila doli nga forca guerile që luftoi në konfliktin e vitit 2001, Bashkimi Demokratik për Integrim, është tani pjesë e koalicionit qeverisës të vendit dhe një ish-rebel shqiptar tani është ministër i Mbrojtjes së Maqedonisë.

Që prej lirimit të tij, Tarçullovski, i cili tani po studion bujqësinë në universitet, është bërë simbol lëvizës në shërbim të qëllimeve propagandistike të qeverisë.  Boshkovski nga ana tjetër ka themeluar një parti politike opozitare pas lirimit të tij dhe gjendet në burgim shtëpiak për financim të paligjshëm të fushatës.

Shuma e saktë shpenzuar për të mbështetur të dy të akuzuarit e Hagës ndoshta nuk do të dihet kurrë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button