Gjermania ia vë 7 kushte Shqipërisë për hapjen e negociatave për futje në BE

Koalicioni CDU-CSU në Parlamentin gjerman ka publikuar dokumentin me pritshmëritë që duhet të përmbushë Shqipëria për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Kriteret janë prezantuar nga deputeti i Bundestagut, Gunther Krichbaum, gjatë një konference për shtyp të mbajtur këtë të enjte në Tiranë, i cili “ka ngelur në klasë” Shqipërinë, transmeton Top-channel.

Krichbaum ka deklaruar se, “për hapjen e negociatave duhet të plotësohen kushtet” dhe ka shprehur bindjen se, “kjo nuk mund të realizohet në vitin 2017”.

“Do kërkojmë të mos hapen negociatat, më parë duhen rezultate konkrete”, ka thënë Krichbaum, i cili ka saktësuar se, “në vitin 2018 mund të ketë një dritë jeshile”.

Deputeti gjerman ka theksuar se, “rezultatet e reformave dhe përpjekjeve të qeverisë duhet të jenë më të prekshme” dhe për këtë u ka bërë thirrje palëve politike shqiptare që “të bashkojnë forcat”.

Sipas dokumentit të prezantuar nga zyrtari gjerman, kriteret që duhen përmbushur janë këto:

Kriteri i parë ka të bëjë me reformën në administratën publike, e cila duhet të provohet në praktikë për të treguar se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.

Kriteri i dytë ka të bëjë me reformën në drejtësi, e cila, sikurse thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë.

Kriteri i tretë thotë se në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme.

Kriteri i katërt për luftën kundër krimit të organizuar është që të rritet ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë, të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës dhe të shënohen suksese të prekshme.

Kriteri i pestë ka të bëjë me atë që konsiderohet “prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, për të cilin vlerësohet se Shqipëria duhet ende të përmbushë ato pika që përmend raporti i Komisionit Europian i datës 9 nëntor 2016.

Kriteri i gjashtë është që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.

Kriteri i shtatë ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button