Drama rreth presidentit do të rezultojë me zgjedhje të parakohshme!

Sjellja e partnerëve të koalicionit Gruevski dhe Ahmeti, rreth presidentit konsensual paraqet një dramë të menduar mirë nga dy subjektet politike në pushtet, me të cilën synojnë rritjen e besueshmërisë së partive të tyre.

Analisti Afrim Gashi vlerëson se me këtë përplasje të kurdisur ose jo, ato shfaqen si subjekte joserioze ngase është dashur të merren vesh çfarë presidenti duan qëkur kanë bërë marrëveshje për qeverisjen e përbashkët me shtetin. 

“Madje, mekanizmi i përfitimit nga nacionalizmi i rrejshëm, të cilin e kanë zhvilluar këto subjekte u sjell dëm qytetarëve dhe shtetit, por megjithatë atyre u ka sjellë pikë politike dhe fitore në zgjedhje. Prandaj ato duan të përfitojnë nga ky mekanizëm edhe kësaj here”, shprehet për Portalb, Afrim Gashi, analist.  

Sipas analistit Zdravko Saveskit, Maqedonisë përfundimisht i duhet një kandidat konsensual por kjo që po ndodh për momentin në mes VMRO DPMNE-së dhe BDI nuk çon drejt gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, por drejt krijimit të një situate të tensionuar mes maqedonasve etnik dhe shqiptarëve etnik, e cila situatë do të reflektohej me rritjen e besueshmërisë ndaj VMRO-së tek maqedonasit dhe BDI-së tek shqiptarët.

“Nëse BDI do ta cilësonte këtë ide si të rëndësishme, atëherë do të duhej që atë ta shpaloste prej kohësh dhe të fillonte bisedimet me VMRO-në. Ndërkaq kjo që në moment të fundit ngrihet si çështje dëshmon se partitë përpiqen të rrisin rejtingun e tyre me qëllim që të krijohet një klimë e favorshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat veçmë i paralajmëroi BDI-ja”, thekon Saveski për Portalb. 

Edhe sipas Gashit e gjithë kjo dramë synon nxitjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Për ta parë këtë shfaqje nuk duhen pasur syze 3D, ngase gjithçka është e qartë”

“Të dy partitë tani do të aktrojnë mbrojtje të kauzës nacionale, njëra palë me kërkesën për kandidatin konsensual,  pala tjetër do të këmbëngul që kandidatin ta zgjedhin sipas dëshirës së tyre, ndërkaq të dyja palëve kjo do t’u sjell vota në baza etnike”, shton Saveski. 

Sipas Gashit, politika e papërgjegjshme e pushtetit gjithnjë e më shumë thellon krizën në vend dhe nxit qytetarët që të braktisin vendin.

“Le t’i shpallin zgjedhjet dhe le ta vazhdojnë agoninë e qytetarëve, sepse edhe ashtu askush më nuk kërkon nga ky shtet që t’u gjejë atyre rrugëdalje, por qytetarët janë ata që kërkojnë rrugëdalje nga ky shtet. Mbase, kur do të ketë zgjedhje do të na e paguajnë biletën e aeroplanit që të mund të vijmë t’i vizitojmë të afërmit tanë, që nuk kanë pasur mundësi deri tash të ikin nga ky shtet”, shprehet Afrim Gashi, analist.

Gruevski dhe Ahmeti vazhdojnë të përplasen rreth kandidatit për president. Për VMRO-në kandidat konsensual mund të ketë vetëm nëse kandidati i zgjedhur nga 1300 delegatët e VMRO-së është i pranueshëm edhe për Ahmetin. Ndërkaq kreu i BDI-së, këmbëngul se nuk do bëjë kompromis për opsion tjetër nga ideja për kandidat konsensual. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button