Bartësit e protestës të kënaqur nga përkrahja, qytetarët e duan Radikën

Përfaqësues të shoqatës “Oda Dibrane”, dhe përfaqësues të tjerë bartës të protestës kundër projektit “Fusha e Lukovës”, të organizuar dje në Shkup, shprehen të kënaqur me pjesëmarrjen dhe përkrahjen që qytetarët i dhanë kësaj proteste.

“Dibra dhe Reka nëpërmjet protestës së mbajtur në Shkup,  dërguan një mesazh të fortë kundër këtij projekti  , i cili në vete është i dëmshëm si për parkun nacional të Mavrovës ashtu edhe për këtë rajon. Unë personalisht nuk jam kundër ndërtimeve të objekteve energjetike, por jam kundër ndërtimit të këtyre hidrocentraleve , sidomos “Fushës së Lukovës” që paraqet devijim të lumenjve në ujërat e Vardarit dhe në detin Egje. Të jemi transparent dhe të sinqertë, nëse shteti dëshiron që të zhvillojë këtë rajon, këtu ka me të vërtetë potenciale uji që në mënyrë racionale mund të shfrytëzohen për hidrocentrale të vogla, por jo të devijohet lumi Radikë”, u shpreh  për Portalb, deputeti në Parlamentin e Maqedonisë, Rejhan Durmishi.

“Pjesëmarrja e përzier në protesta si për nga aspekti etnik ashtu edhe fetar, nga “Oda dibrane” u vlerësua mjaft e suksesshme. Ky tubim protestues ndër të rrallët për të mos thënë i vetmi i këtij lloji u përkrah nga shqiptarët, maqedonasit , turqit etj, dhe askush nuk pyeti kush çfarë është por të gjithë kishin një qëllim, të mbrojmë Radikën”, thotë anëtari i kryesisë së Odës Dibrane, Bardhyl Marku.

“Unë personalisht u ndjeva i zhgënjyer , indinjuar dhe i mërzitur  që nuk mu dha rasti të përshëndes dhe të marr fjalën e rastit , në këtë protestë.  Unë desha të them se ne erdhëm nga Dibra e poshtme për të përshëndetur dhe mbështetur së jemi bashkuar si dibranë në tërësi për të mbrojtur me çdo kusht lumin Radika. Rënkimet e Radikës gjatë këtyre muajve të fundit kanë shqetësuar dhe indinjuar edhe nëntë malet e Dibrës dhe tash e tutje nuk presim më përgjigje nga ministrat shqiptar, kukulla të Maqedonisë, por nga qeveria maqedonase dhe direkt nga kryeministri Gruevski”, u shpreh Munir Hoxha, kryetar i OJQ-ve në Peshkopi, pjesëmarrës në protestën e Shkupit.

Ndërkaq dibrania e ardhur nga Kosova, arsimtarja Nusrete Krasniqi sa i takon protestës në Shkup theksoi:   ”Ndjeva obligim moral që të marr pjesë e të solidarizohem me vëllezërit dhe motrat e mia dibrane. Kjo është më e vogla që mundemi të bëjmë për vendlindjen tonë. Radika i takon Dibrës, të gjithë familjeve dibrane që jetojnë jashtë Dibre, në diasporë e gjetiu .Bukuria e natyrës së grykës së Radikës dhe klisura e saj është ndër begatitë më të rralla që natyra ja ka falë këtij vendi dhe  nuk duam në asnjë mënyrë që dikush ta shkatërrojë”.

Dibrania, Englantina Çilku sa i takon protestës së Shkupit shprehet se “ Jo vetëm kjo protestë, por të gjitha protestat kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve dhe sigurinë jetësore, gjithmonë do të jenë të vlefshme për shoqërinë tonë. Kjo lloj proteste është e pranueshme nga shtresat humane dhe inteligjente, nënvizoi  ajo.

Lajme të ngjashme

Back to top button