Hasani: Komuna e Gostivarit kërkon gjetjen e autorëve të helmimit

Shefi i Kabinetit të kryetarit të komunës së Gostivarit, Bashkim Hasani mbajti konferencë për mjetet e informimit në lidhje me situatën rreth ngjarjes së ditës së premte me helmimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe punonjësve të sigurimit në Shkollën e Mesme Ekonomike Komunale “Gostivar”.  

“Dje në ndërrimin e dytë të paraleleve në gjuhën shqipe në shkollën e mesme ekonomike, në ora 15:30, si udhëheqësi e komunës së Gostivarit morëm informatë nga udhëheqësia e shkollës se disa nga nxënësit ankohen nga simptome të helmimit. Kryetari i komunës në atë moment dha urdhër që mësimi të ndërpritet. Pastaj ne dolëm dhe vizituam shkollën e mesme ekonomike nga ku aty morëm informata se disa nga nxënësit veçse janë të shtruar në Spitalin e Gostivarit, bashkë me kryetarin e komunës, në koordinim me institucionet  qendrore dhe lokale, si prokuroria dhe policia bashkë me të punësuarit në Spitalin e Gostivarit. Deri në ora 1:30 pas mesnate në Spitalin e Gostivarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore 60 nxënës, mësimdhënës dhe persona të sigurimit, me çka 14 u dërguan në Spitalin Klinik të Shkupit, nga ku 7 atje janë liruar dhe 7 vazhdojnë të ngelin për mjekim të mëtejshëm, si dhe për të bërë analiza se nga ku mund të ketë ardhur helmi. Shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj të gjitha institucionet lokale si Spitalin e Gostivarit, policinë dhe të gjitha institucionet tjera të cilët ishin në gjendje gatishmërie dhe u angazhuan maksimalisht që e gjithë situatë e pavolitshme të tejkalohet”, tha Hasani. 

Shefi i kabinetit Bashkim Hasani tha se komuna e Gostivarit dhe prindërit janë të interesuar dhe kërkojnë që autori i kësaj ngjarje të gjendet dhe të mos lihet që të mund të manipulohet me ndodhinë e këtij rasti dhe ti jepet kahje e cila nuk do të prekte realitetin e kësaj ngjarje.

“Ne vazhdimisht jemi në kontakt me prokurorinë dhe me policinë, nga atje kemi informata se rasti do të zbardhet, nga që kanë marrë edhe incizimet nga kamerat e sigurimit dhe besojmë se rasti do të zgjidhet dhe autori i kësaj vepre jo humane dhe jo njerëzore do të gjendet. Kjo është e gjithë ajo informatë që ne e kemi marrë si komunë dhe insistojmë edhe më tej që institucionet gjegjëse të cilët duhet të punojnë në zbardhjen e këtij rasti, do të vazhdojnë edhe me kapacitet më të madh nga që është interes dhe kërkesë edhe i prindërve edhe i neve si komunë e Gostivarit që autori i kësaj ngjarje të gjendet dhe të mos lihet që të mund të manipulohet me ndodhinë e këtij rasti dhe ti jepet kahje e cila nuk do të prekte realitetin e kësaj ngjarje”, theksoi Hasani. 

Sa i takon mbajtjes së procesit edukativo arsimor, Shefi i kabinetit, Bashkim Hasani tha se ne si komunë e Gostivarit, në qoftë se marrim ndonjë sugjerim nga institucionet gjegjëse që deri sa të zbardhet rasti të mos vazhdohet mësimi ne nuk do e vazhdojmë mësimin, por deri në këtë moment nuk kemi ndonjë sugjerim të tillë dhe besoj se nga dita e hënë mësimi do të vazhdoje të mbahet në rregull.

Ndryshe, sot janë lëshuar për mjekim shtëpiak të gjithë pacientët e helmuar në shkollën ekonomike në Gostivar.

Lajme të ngjashme

Back to top button