Shefi i BE-së në Serbi, optimist nga marrëveshja për telekomunikacionin
![Michael Devenport](https://i0.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2016/11/michael-davenportBETA.jpg?fit=640%2C376&ssl=1)
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Michael Devenport, tha se marrëveshja për telekomunikacionin midis Beogradit dhe Prishtinës mund të jetë nxitje për përparim në zbatimin e marrëveshjeve të tjera midis dy vendeve.
“E përshëndes marrëveshjen më të re. Mendoj se është rezultat i përpjekjeve të mëdha të të gjitha palëve. Me të është siguruar numri treshifror dhe funksionomi i papenguar i Telekomit të Serbisë”, tha Devenport, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Ai shtoi se është e rëndësishme që marrëveshja në fjalë të zbatohet në përputhje me afatet e parapara.
Devenport po ashtu tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim për palën kosovare.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur të dielën marrëveshjen për telekomunikacionin, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.