Tiranë, tryezë diskutimi për përdorimin e fondeve publike

Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të reformës për menaxhimin e financave publike dhe me rastin e mbylljes së projektit të binjakëzimit me Ministritë e Financave të Austrisë dhe Francës, ka organizuar sot në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, tryezën e diskutimit me temë “Përdorimi i Përgjegjshëm i Fondeve Publike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në këtë tryezë diskutimi të organizuar në ambientet e Fakultetit Ekonomik në Tiranë ishin ministri shqiptar i Financave, Arben Ahmetaj, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ekspertë të ekonomisë, etj.

Ministri Ahmetaj gjatë fjalës së tij u shpreh se kjo reformë ka nisur tre vite më parë dhe konsiderohet nga qeveria si një reformë kyçe.

“Kjo është një reformë e heshtur që kalon në fazën dytë të menaxhimit, konkretisht të menaxhimit të financave publike. Është një reformë kyçe që ka të bëjë me raportin thelbësor midis qytetarëve dhe qeverisë, me raportin thelbësor midis transparencës dhe mungesës së saj dhe raportit të efektshmërisë të përdorimit të parasë publike. Qeveria e ka konsideruar si një nga reformat kyçe dhe pas tre vitesh hapat kane qenë të rëndësishëm. Kjo synon forcimin e praktikave më të mira në kryerjen e shërbimeve publike, që do të thotë forcim i sistemit që jep siguri që paratë e shpenzuara të shkojnë aty ka efektivitet më të lartë për mbështetjen e ekonomisë, punësimit, mbrojtjen e shtresave në nevojë, duke racionalizuar barrën e taksave, qoftë për individët, qoftë për sipërmarrjen”, u shpreh Ahmetaj

Ky aktivitet kishte si qëllim që të prezantojë në një diskutim publik, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të menaxhimit të financave publike, si dhe sfidat e ardhshme në këtë drejtim, sipas Ministrisë së Financave me synim garantimin e rritjes ekonomike afatgjatë të qëndrueshme, ofrimin e shërbimeve më të mira dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button