Maqedonia kërkon pak fat për rezultat pozitiv ndaj Spanjës

Hajrush Mani, Spanjë

Granadë

Reprezentacioni i Maqedonisë sonte në orët e mbrëmjes është transferuar në stadiumin qendror të Granadës, ku edhe do të luajë ndeshjen e katërt kualifikuese, e që për kundërshtar ka reprezentacionin e Spanjës.

Para se të fillonte stërvitja, në konferencë para gazetarëve u paraqitën seleksionuesi Igor Angellovski dhe kapiteni i Maqedonisë, Goran Pandev, të cilët njëzëri kanë thënë se Spanja padyshim që është favorite, por që Maqedonia ka ardhur në Granadë që të luajë lojë të mirë sikurse ndaj Shqipërisë, Izraelit dhe Italisë, por duke kërkuar edhe pak fat kësaj radhe.

Igor Angellovksi pos tjerash ka thënë se vetëm si ekip e kompletuar mund të përballen me Spanjën. “Për çdo ekip është hendikep që nuk luajnë disa futbollist dhe mungesa e Ramos, Pike, Iniesta dhe Kosta do të bëjnë që Spanja të kërkojë të kompensojë mungesën e tyre me futbollist të rinj, ndërsa ne do të duhet të mundohemi që të shfrytëzojmë këtë gjë”. Edhe te reprezentacioni i Maqedonisë pritet të ketë ndryshime, edhe atë në portë, por Angellovski ka thënë se nuk përjashtohen edhe disa ndryshime në pozitat të tjera.

Enis Bardhi, Ezgjan Alijoski dhe Argjent Beqiri në stërvitje
Enis Bardhi, Ezgjan Alijoski dhe Argjent Beqiri në stërvitje

Kapiteni i Maqedonisë Goran Pandev ka thënë se ky reprezentacion ka të drejtë të shpresojë në lojë të mirë kundrejt një favoriti të madh siç është Spanja.

“Nëse jemi kompakt dhe secili në ekip e kryen punën e vet mirë, atëherë mundë të jemi optimist dhe të besojmë që mundemi të luajmë ndeshje të mirë. Spanja është favorit i padiskutueshëm, një nga reprezentacionet më të mira në Botë, për ne është e patjetërsueshme që të jemi maksimalisht të koncentruar. Padyshim se në ndeshjet e kaluara nuk kishim fat sportiv, por duhet të ngrejmë kokën lartë dhe të dalim edhe në këtë ndeshje që të nxjerrim rezultat pozitiv. Ndjehem mjaft i përgatitur, besoj se edhe futbollistët e tjerë kanë motiv dhe dëshirë për të treguar një ndeshje të madhe, tani mbetet të dalim në fushë dhe të luftojmë”, është shprehur Goran Pandev.

Ndeshja Spanjë – Maqedoni do të luhet të shtunën në stadiumin “Nuevo Los Karmenes” në Granadë me fillim në orën 20:45 minuta. / Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button