Xhaferi: Herët a vonë qytetarët do binden se modeli konsensual i duhet vendit

Zv/kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi në emisionin “Rruga drejt…” në Alsat-M ka shtruar nevojën e një debati të hapur rreth propozimit të tyre sa i takon kandidatit konsensual për president.

Sipas Xhaferit, herët a vonë do binden qytetarët se ky model i duhet vendit dhe ata që nuk e akceptojnë do kenë përgjegjësi politike para elektoratit, jo para BDI-së dhe se këtë do ta shpjegojnë deri në fund, duke bindur qytetarët, OJQ-të , ndërkombëtarët dhe tjerët. 

“Në Maqedoni ekziston një demokraci multietnike dhe praktikat e deritanishme rreth presidentit kanë qenë pa njërën shtyllë, pra nuk ka pasur kredibilitet apo autoritet. Kjo ide pritej të ketë një debat më të sinqertë, por nuk di se pse ka një frikë, mbyllje nga partitë. 

Pastaj nëse e kalojmë fazën e parë, një marrëveshje pajtimi për hir të rrethanave dhe pastaj do shkohej me profil se i cilës etni do ishte kandidati, por ne do kishim hapur një debat rreth asaj se çfarë nëse ndonjë shqiptarë gjendej si kandidat i përbashkët”, tha Xhaferi. 

“A do jetë në marrëveshje kandidati shqiptar, turk, maqedonas, pra nuk e paragjykojmë. Presidenti i shtetit ka ndodhë që në finale t’i takojë bashkësisë etnike maqedonase, por nuk do bëjmë pazar me këtë parim dhe ne do ta promovojmë në publik, në fushatë, anëtarësi për të bind palët se ky model është i domosdoshëm”, ka vijuar më tej Xhaferi. 

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike (LD) Pavle Trajanov tha se deri tani nga BDI nuk kanë ofruar ndonjë profilizim të kandidatit të përbashkët. “Partitë që më parë ta thonë kandidatin, por edhe kriterin se çfarë kandidati konsensual nevojitet. Profili i tillë mund të jetë ai që do punojë në prioritetet e vendit, hyrje në BE e NATO. 

Dhe, nëse është i pranueshëm për më shumë qytetarët, por u pa se kjo ishte teoretikisht. Pa mbështetje politike nuk mund të kalojë ndonjë kandidat. VMRO-DPMNE ka procedura se si vjen deri te kandidati, paraprakisht të bisedojë edhe për propozimin. Mbroj tezën se kandidati për president konsensual do jetë ai që e votojnë të gjithë, maqedonas, shqiptarë, turq.

Partitë pra e diktojnë ambientin tani. Me siguri ideja e BDI është që të arrihet së pari konsensus politik, marrëveshje politike, por mbi gjitha me rëndësi është profilizimi i kuadrit si kandidat…”, ka thënë Trajanov. 

Ndërkohë, analisti Rizvan Sulejmani tha se gjendemi në momentin kritik. “Nuk kemi pasur kryetar shteti bazuarnë përkrahje të gjerë, apo si i tillë që ka pasur parasysh nevojat e shqiptarëve, apo të jetë i gatshëm që në çdo fshat dhe prej afër ta ndjejë se çfarë është nevoja e një shqiptari votues. 

Njësoj edhe të maqedonasit, turqit dhe është çështja nëse ai ka kapacitetin inkulziv në momente të caktuara”, tha ai. Maqedonia 20 vjet pas, sipas Sulejmanit, nuk ka bërë një hap përpara në tolerancën ndëretnike dhe për këtë duhet një respekt i ndërsjellë.

“Ne duhet të kalojmë një fazë përtej asaj, të dëgjosh një familje shqiptare më hallet e saj, maqedonase dhe etni tjera dhe jemi në një nivel të tolerimit se s’kemi çfarë bëjmë, atë duhet të bëjë presidenti. 

Ne jemi të ndarë në jetën isntititucionale, shoqërore, kulturore dhe tjera”, tha Sulejmani. Por, në këtë replikoi Trajanov duke thënë se Maqedonia kishte kandidatura të tilla dhe ai ishte Vasil Tupurkovski, Imer Selmani të cilët morën vota nga bashkësi të caktuara etnike. 

Por, për zv/kryeministrin Musa Xhaferi do të ishte gabim nëse situatën e tanishme e barazojmë me bojkot apo pasivitet, por të promovohet propozimi pasi ka ardhur koha për një ndryshim dhe marrëveshje dhe MO është një marrëveshje konsensuale dhe bindja është shumë tipike dhe origjinale për shtetin.

Lajme të ngjashme

Back to top button