Sot fillon Festa e pavarësisë

Festimi i 6 vjetorit të Pavarësisë fillon sot me shpjegimin nëpër të gjitha shkollat e Kosovës, ku ora e parë do t’i kushtohet kësaj feste. Nën organizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë dhe qytetet tjera të Kosovës, si dhe në të gjitha ambasadat e Kosovës në botë, do të organizohen aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Pasdite në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozitë e Koleksionit të “Marubit”. Ndërsa, nesër pasdite në Muzeun e Kosovës bëhet hapja e ekspozitës “Shkatërrimi i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë 1998-1999”.

Po ashtu, në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës në botë, organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse. Kurse, në ora 18:00, në Hotelin Swiss Diamond, mbahet koncert i tenorit Agim Hushi.

E në ditën kur është shpallur pavarësia e Kosovës, do të bëhen homazhe para varrit të presidentit Rugova, homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz.

Në orën 11:00, është paraparë të mbahet mbledhja solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po në të njëjtën ditë do të organizohet pritje për mysafir të ftuan nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. 

Festa do të vazhdojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku në ora 12:00 do të organizohet manifestimi qendror, ku do të bëhet parakalimi i njësiteve të FSK-së, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues. Në orën 14:00, po në të njëjtin shesh organizohet koncert për fëmijë, për të vazhduar me koncert me këngëtarët më eminentë të vendit, i cili do fillojë nga ora 20:00 deri në 22:30, ku edhe do të bëhet ndezja e fishekzjarrëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button