SHGM: Ndihmë! Gazetën “Utrinski vesnik” e pret fati i TV A1!

Pronarët e së përditshmes, Utrinski vesnik që të jenë më të dashur për qeverinë vazhdimisht ndërruan redaktorë e ata ushtronin presion mbi gazetarët, të cilët tashmë një kohë të gjatë përballen me pasiguri, ngatërresa dhe frikë. Kështu ra tirazhi i gazetës. Si pasojë gazetarëve jo vetëm që iu zvogëlua paga, por tani duke i konsideruar si tepricë teknologjike po përjashtohen nga puna një nga një. Nga Sindikata e Gazetarëve dhe Shoqata e Gazetarëve duke njoftuar publikun me gjendjen reale të kësaj gazete dhe se ngjashëm ndodh edhe me disa media tjera, kërkojnë ndihmë dhe mbështetje, që të mos lejohet që edhe një medium tjetër të përfundojë ashtu siç përfundoi televizioni A1 në vitin 2011. Në të kundërt, pasojat do t’i ndjejnë të gjithë qytetarët, njofton Portalb.mk.

“Sot e shënojmë edhe një ditë të zezë në lirinë e mediave dhe gazetarisë. Kjo ditë e zezë është e fundit në serinë e ndodhive këto vite për shkak të klimës së rrënuar politike për lirinë e mediave due ndikimin e shtetit në gjendjen e përgjithshme të mediave. Prandaj publikisht kërkojmë solidaritet dhe mbështetje nga publiku, nga lexuesit dhe kolegët”u shpreh Kryetarja e Sindikatës së gazetarëve, Tamara Çaushidis.

Çaushidis theksoi se kompania “Media Print Makedonija” (me pronarë: Ovce Kamçev dhe Srxhan Kerim) në pronësi të së cilës është dhe Utrinski vesnik tashmë një kohë të gjatë ka probleme financiare, për çka disa herë u janë ulur pagat gazetarëve dhe shumë janë përjashtuar nga puna. Por gazetarët nuk kanë faj për gjendjen e vështirë.

“Jemi të bindur se gjendja aktuale e keqe e kompanisë dhe zvogëlimi i tirazhit të gazetës  është pasojë e marrëdhënies shërbyese të pronarëve ndaj qeverisë. Kjo lloj marrëdhënieje prodhon vendime të këqija, mes tjerash vendosjen e redaktorëve kryesor “të dëshirueshëm”, përzierje në politikën redaktuese dhe në fund prodhim- gazetë që nuk është interesant për publikun” tha Çaushidis.

Ish-gazetari i së përditshmes në fjalë, Lubishe Stankoviç ndër tjerash tha se tre javë më parë nga udhëheqësia të punësuarit kishin marrë garanci se nuk do të ketë vonesë  të pagave, ndërsa se katër ditë më parë morën garanci se nuk do të ketë përjashtime e as zvogëlim të pagave. Por tashmë po bëhen përjashtime masive të të punësuarve dhe numri i të mbeturve është shumë i vogël. Andaj, siç theksoi, “Nuk do të lejohet që të përjashtohet nga puna as dhe një gazetar i vetëm më”.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani nga ana tjetër tha se në këtë periudhë parazgjedhore do të insistojë për reforma thelbësore në media, që do t’i lironin mediat nga presionet e qeverisë. Në vend jodemokratik nuk mund të ketë media të lira e në Maqedoni mediat keqpërdoren, tha ndër tjerash Selmani, andaj është koha e fundit që të merren masa për shndërrimin e mediave në instrumente demokratike.

Sipas tyre, të drejtat nuk mund të kërkohen nga gjykatat “e padrejta”, siç i kemi dëgjuar në aferën e përgjimeve, por se do të ndërmarrin masa për gjendjen e gazetës Utrinski vesnik, gjendje kjo e ngjashme edhe me atë të gazetës Vest, Dnevnik, TeaModerna dhe MakedonskiSport.

E pyetur nga Portalb nëse mund të priten protesta në ditët në vijim, Çaushidis tha se një vendim i tillë është i mundur, andaj edhe një herë apeloi për mbështetje.

Folësit theksuan se pasojat nga marrëdhënia klienteliste mes pronarëve të mediave dhe qeverisë,  nuk do t’i ndjejnë vetëm gazetarët, por të gjithë qytetarët. Së pari, shkelen të drejtat dhe liritë për shkak të presionit ekonomik. Së dyti, shkelen të vlerat demokratike, sepse rrezikohen katër gazeta ditore dhe një mujore, së paku. Së treti, shkatërrohet çmimi i punës gazetareske, e cila edhe ashtu është më e ulëta në rajon./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button