Bosnje: Urdhër medieve të dorëzojnë materialet e protestave

Inspektorët e sektorit të kriminalistikës të policisë federale të Bosnjës dhe Hercegovinës i kanë dorëzuar medieve vendore urdhërin për konfiskim të përkohshëm të materialeve të bëra gjatë protestave në Sarajevë.

Urdhëri, të cilin mediet e kanë pranuar të martën mbrëma, e ka dhënë gjykata komunale e Sarajevës, pas një propozimi që ka parashtruar prokuroria kantonale.

Aty kërkohet nga mediet “RTV BiH”, “RTV FBiH”, “TV 1”, “Al Jazeera Balkans”, “Dnevni Avaz”, “Oslobodjenje”, “Intersoft”, “Hajat TV”, “TV SA” dhe “OBN TV” që t’i dorëzojnë inspektorëve të gjithë materialin audio, video dhe tekstet e bëra gjatë protestave të qytetarëve të Bosnjës, në qytetin e Sarajevës, nga data 7 e deri më 11 shkurt 2014.

Po ashtu, mediet janë urdhëruar që të dorëzojnë të gjithë materialin audio, video dhe tekstet, të cilat i kanë ruajtur në kompjuterët, ose pajisje të ngjashme, të cilat do të procesohen më tutje nga prokuroria.

Këto materiale, siç thuhet në urdhëresën e gjykatës, do të konfiskohen për një afat 15 ditor, nga data e dorëzimit të urdhrit, meqë do të përdoren për të përpiluar dosjet e trazirave në Sarajeve.

Personat të cilët refuzojnë që të dorëzojnë materialin e kërkuar, mund të dënohen deri më 25 mijë euro.

Madje, siç thuhet në këtë urdhëresë, ekziston mundësia edhe e burgosjes së atyre individëve që bëjnë opozitë ndaj këtij vendimi. (REL)

Lajme të ngjashme

Back to top button