Kroatëve e malazezëve u lejohet blerja e armëve në Zvicër, shqiptarëve e serbëve jo

Qeveria e Zvicrës me një vendim të saj të shpallur të mërkurën ka ndërprerë ndalesën e vendosur më herët për blerje të armëve nga ana e shtetasve kroatë dhe atyre malazezë me qëndrim në Zvicër. Ky vendim, siç bëhet e ditur në një komunikatë që ka lëshuar administrata e shtetit, fillon të zbatohet nga 15 marsi 2014, transmeton Albinfo.

Këshilli Federal e arsyeton vendimin e tij se në gjendjen aktuale që mbretëron në Kroaci dhe në Mal të Zi, nuk ka ndonjë arsye që shtetasit e këtyre vendeve të privohen nga e drejta për të blerë dhe bartur armë. Ndalimi ndërkaq vazhdon të vlejë për peronat nga vendet tjera të Ballkanit si: Serbia, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria si dhe disa vende tjera si Turqia, Sri Lanka dhe Algjeria.

Lista “e zezë”, në të cilën janë vendosur vendet në fjalë përpilohet dhe shkurtohet në bazë të vlerësimit që i bëhet gjendjes së sigurisë në ato vende. Vënia e një shteti në këtë listë ka për qëllim të bëhet e dije se Zvicra nuk pranon që me armët e saj të mbështetet ndonjë konflikt i armatosur në botë. Arsye tjetër është kundërveprimi ndaj bartjes eventuale në Zvicër të konflikteve në mes të palëve të e vendeve të përmendura, thuhet më tutje në komunikatë.

Përmes përshtatjes së procedurës për tjetërsimin e armëve te personat që nuk kanë leje për armëmbajtje, Këshilli Federal jep edhe një kontribut për luftimin e keqpërdorimit të armëve. Deri më tash shitësi i armës duhej që qendrës kompetente të kantonit t`ia dërgonte si dëshmi vetëm një kopje të kontratës për armën e shitur. Tash e tutje ai duhet të ofrojë edhe një certifikatë nga regjistri penal pra që blerësi nuk është në ndjekje penale.

Lajme të ngjashme

Back to top button