Fushata ka filluar, shpenzime të pakontrolluara!

Numërimi filloi. Zgjedhjet presidenciale janë shpallur, zgjedhjet parlamentare në pritje. Pushteti në lëvizje të madhe, priten shirita, paralajmërohen prerje të reja, promovohen projekte të përfunduara. Opozita llogarit se si shumica në pushtet me kredi, pothuajse sipas ndonjë rregulli, para çdo procesi zgjedhor blen votues.

A do të sigurojë Kodi zgjedhor, që u soll me konsensus partiak, garë korrekte dhe të barabartë zgjedhore ose do të mbetet vetëm dokument në letër, respektimi i të cilit do të varet vetëm nga vullneti politik dhe kapaciteti demokratik i politikanëve? Opozitarët thonë se me shpalljen e zgjedhjeve, u shkelën edhe rregullat. Pushteti mohon. Ekspertët dyshojnë se paratë shtetërore përfundojnë për propagandë partiake.

Kodi zgjedhor – në test, për disa shkilet, për të tjerët respektohet!

Paralajmërim për rekonstruim të stacioneve hekurudhore, spitale të reja, zona të lira ekonomike, rrugë, kanalizime, çerdhe, shkolla – nga dita e shpalljes së zgjedhjeve presidenciale, më 1 shkurt, për vetëm dhjetë ditë fushata zgjedhore fitoi në tempo. Edhe në nivel lokal edhe në nivel qendror. “Portalb”-i bën një përmbledhje të pjesës më të madhe të asaj që është promovuar në periudhën e kaluar:

  • Paralajmërim për projekt të ri: Zonë e lirë ekonomike në Rankovc. Vlera e projektit 12 milionë euro.
  •  Fillim i projektit të ri: Poliklinika Bukuresht, vlera e projektit 400.000 euro.
  •  Përfundimi i projektit në Koçanë: kanalizimi fekal dhe atmosferik, vlera e projektit 260.000 ?uro.
  • Paralajmërim për projekt të ri, Veles: Rekonstruimi i stacionit hekurudhor. Projekti ishte paralajmëruar nga KK i VMRO-DMPNE-s, ndërsa do ta financojë komuna.
  • Paralajmërim për projekt të ri, Shkup: Rikonstruimi i stacionit hekurudhor.
  • Vendim për punësime: Subvencione për ata që do të punësojnë person-rast social.
  • Vendim për kompensim në të holla për beqarë: Dy komuna paralajmëruan para e poashtu edhe nga një fuçi me verë dhe raki për beqarët të cilët pas moshës 40 vjeçare do të vendosin të martohen 
  • Promovim i projektit, Kriva Pallankë: Shtatë rrugë të reja të financuara me para të Bankës Botërore.  

Cilat nga këto projekte janë të planifikuara me buxhetin qendror, gjegjësisht me buxhetet lokale, e cilat nuk janë planifikuar aspak?

Kjo, sipas njohësve të rrethanave është çështje kyçe që e hap dilemën se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve a shkilen rregullat e Kodit zgjedhor, por edhe të Ligjit për parandalimin e korruptimit.

Në nenin 8 të Kodit zgjedhor shkruan se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve e deri në përfundimin e tyre, nuk guxojnë të fillohen projekte të reja për të cilat nuk janë paraparë para në arkën shtetërore. Kështu, në Kodin zgjedhor, shkruan se nga dita e sjelljes së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e zgjedhjeve nuk guxon:

  • – Të disponohet me mjete buxhetore, mjtete të buxheteve të komunave dhe të qytetit të Shkupit, nga fondet publike, mjete nga ndërmarrjet publike dhe firmat me kapital shtetëror.
  • Të fillohet ndërtim me mjete nga buxheti ose ndërmarrjet publike, fondet publike dhe firmat shtetërore, të objekteve të reja në infrastrukturë, rrugë, ujësjellës, kanalizime, terrene sportive, çerdhe, shkolla, përveç nëse për këtë qëllim nuk janë siguruar paraprakisht mjete në buxhet.
  • Të bëhet pagesa e rrogave, pensioneve, ndihmës sociale dhe llojeve të tjera të kompensimeve nga mjetet buxhetore që nuk janë pagesa të rregullta mujore.
    Një pjesë e opozitarëve konsiderojnë se pas ditës së shpalljes së zgjedhjeve tashmë është shkelur Kodi zgjedhor.

“Sipas meje, shumica qeveritare nuk e respekton atë që është dakorduar. U paralajmërua ndërtimi, gjegjësisht rekonstruimi i poliklinikës Bukuresht, pastaj u paralajmërua ndërtimi i zonës së re ekonomike në Rankovc. Këto janë dy projekte krejtësisht të reja në paralajmërim, për të cilat dyshoj se janë planifikuar në pozitat aktuale buxhetore. Kryeministri Nikolla Gruevski, me deklaratën se juristët janë ata që duhet të vlerësojnë se a shkilet Kodi zgjedhor apo jo, i dërgoi porosi pushtetit se ai do të vazhdojë me agjendën e tij, pa marrë parasysh reagimet”, thotë deputeti Goran Misovski.

Ekonimistët thonë se para zgjedhjeve mundet dhe patjetër duhet të sigurohet transparencë e plotë në harxhimin e parave shtetërore, por a do të ndodhë kjo? Njëri nga ish-ministrat për financa, Xhevdet Hajredini dyshon se pushteti qartë dhe publikisht do të tregojë se si harxhohen paratë gjatë periudhës parazgjedhore dhe mendon se do të ketë manipulime.

“E kam të pamundur të bëj krahasim ndërmjet praktikimit të tanishëm të pushtetit dhe menaxhimit të parave me kohërat e mëparshme. Në raportet vjetore për përparimin e Maqedonisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, gjatë disa viteve të fundit vlerësohet se planifikimi dhe menaxhimi i buxhetit përkeqësohet. Për këtë nuk ka ndonjë arsye tjetër përveç mostransparencës dhe manipulimeve”, thotë Hajredini për “Portalb”-in.

Ai thotë se në periudhën zgjedhore mostransparenca përforcohet edhe më shumë. 

“Mjetet nga buxheti shfrytëzohen për presion mbi opozitën. Pushteti edhe deri më sot, në mënyrë të vrazhdë nuk jep informata se sa para harxhohen për propagandë. Nuk pres se do të japin një informatë të tillë, e ruajnë si fshehtësinë më të madhe, por do të thoja se gjurmët nga harxhimi i parave do të mbeten”, thotë Hajredini.

Për zgjedhjet presidenciale janë planifikuar 4 milionë euro.

Një harxhim plotësues nga mjetet buxhetore do të shkaktonin edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Opozita thotë se para çdo procesi zgjedhor qeveria e fut në borxh vendin që të mund të sigurojë para për blerjen e votuesve. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë për Financa, harxhimet më të mëdha buxhetore, gjegjësisht deficitet më të mëdha, në ciklin e fundit për zgjedhjet lokale, u regjistruan pikërisht në muajt para mbajtjes së zgjedhjeve.

Me Kodin zgjedhor, Ministria për Financa obligohet që në ueb-faqen e saj zyrtare t’i publikojë transferet buxhetore në këtë periudhë, përveç atyre për rrogat, pensionet dhe komunaliet e rregullta. Opozitarët, që konsiderojnë se një pjesë e rregullave tashmë janë shkelur, kërkuan ndryshim të Kodit zgjedhor, në pjesën e dispozitave ndëshkuese, Sipas deputetit Misovski, partia që nuk do t’i respektojë rregullat zgjedhore duhe të dënohet me ndalesë për të marrë pjesë në zgjedhje.

Sipas zgjidhjes aktuale, për shkeljet e rregullave zgjedhore parashihen edhe dënime me burg. Padi penale mund të parashtrojë çdokush, por sipas ekspertëve, më mirë do të ishte që ko të bëhet në mënyrë institucionale, gjegjësisht, nëse ka bazë, këtë ta bëjnë Prokurori publik dhe Komisioni shtetëror i zgjedhjeve.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button