Qytetarët e Moldavisë sot votojnë për zgjedhjen e presidentit

Rreth 3.5 milionë qytetarë të Moldavisë sot kanë të drejtën e ushtrimit të votës në zgjedhjet presidenciale për herë të parë pas 20 viteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Shumë analistë theksojnë se me votimet e sotme, shtetasit e Moldavisë do të përcaktojnë pozicionin dhe drejtimin e shtetit të tyre, nëse do të orientohet drejt Bashkimit Evropian (BE) apo “do të kthehet në orbitën ruse”.

Vendvotimet e hapura në orën 07:00 të mëngjesit do të mbyllen sonte në orën 21:00, ku më pas do të fillojë numërimi i votave.

Kjo është hera e parë pas vitit 1997 që presidenti i vendit do të zgjidhet përmes votës së qytetarëve.

Favorit për të fituar postin nga nëntë kandidatë sa garojnë në zgjedhjet presidenciale të Moldavisë është Igor Dodon, njëherësh lider i Partisë Socialiste.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën, atëherë do të shkohet në raundin e dytë i cili është caktuar për datën 13 nëntor.

Trazirat e fundit politike dhe ekonomike në Moldavi filluan në vitin 2014, atëherë kur në prag të zgjedhjeve parlamentare në tre bankat shtetërore “u zhdukën” më shumë se një miliard dollarë.

Pas kësaj vijuan demonstrata masive dhe përleshjet e qytetarëve me policinë. Kjo njëherësh ishte kulminacioni i pakënaqësisë së qytetarëve të shtetit më të varfër evropian.

Të dhënat e Bankës Botërore flasin se 41 për qind e banorëve të Moldavisë jetojnë me pesë dollarë në ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button