Kushtetuesja pezullon Vetting-un, pranohet kërkesa e parë e PD-së

Pa kaluar 3 javë nga kërkesa e Partisë Demokratike kundër ligjit të vetting-ut, Gjykata Kushtetuese mori një nga vendimet më të rëndësishme të saj, pezullimin e ligjit që bën rivlerësimin e pasurive dhe kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, shkruan TCH.

Nga ana proceduriale, kjo do të thotë se që prej të martës ky ligj pushon së funksionuari derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim përfundimtar. Nga ana praktike, vendimi pezullon zbatimin e të gjithë reformës në drejtësi.

Ligji i vetting-ut është një nga ligjet themelore të reformës, pa të cilin nuk mund të ngrihen organet që bëjnë rivlerësimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Me këtë ligj është i lidhur edhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme dhe gjyakatave speciale, i quajtur ndryshe Struktura Antikorrupsion.

Përveç pezullimit të zbatimit të ligjit të vetting-ut, Gjyakta Kushtetuese ka vendosur gjithashtu t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion, nëse ligji është në përputhje me Konventën europiane për të drejtat e njeriut dhe me Kushtetutën e Shqipërisë.

Sipas Partisë Demokratike, që ankimoi ligjin në Kushtetuese dhe kërkoi pezullimin e tij, vetting-u ka shkelje flagrante të Kushtetutës sepse vendos nën kontrollin e qeverisë insitucionet e reja të drejtësisë.

Gjyakta Kushtetuese ka njohur si palë e interesuar në proces edhe Unionin e Gjyqtarëve, të cilët ende nuk kanë marrë një vendim, nëse do ta cilësojnë apo jo antikushtetues ligjin e vetting-ut.

Është ende e paqartë nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vetting-ut ka qenë unanim, por Top Channel mësoi se nga 9 anëtarë, në mbledhje kanë marrë pjesë vetëm 8 prej tyre. Gjykatësi Sokol Berberi ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i tij, pas mbarimit të mandatit pak kohë më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button