Fazliu sulmon Bexhetin: BDI as kur mundet nuk flet shqip

Deputëti i PDSH-së, Bekim Fazliu, fjalimin e sotshëm në Parlament e filloi me ironizim ndaj ministrit të drejtësisë, Blerim Bexheti që ka diskutuar dhe polemizuar në gjuhën maqedonase.

“Fillimisht i kisha lutur deputetët dhe ministrin e BDI-së ti vendosin kufjet në vesh, që të më kuptojnë se unë flas shqip. Vazhdon fatkeqësisht injorimi i gjuhës shqipe nga ministrat e BDI-së. E kishim Fatmir Besimin dhe Tahir Hanin që flisnin maqedonisht, sot ju bashkëngjit edhe Blerim Bexheti dhe Fatkeqësisht BDI jo vetëm që do e zyrtarizojnë gjuhën shqipe, këtë duhet ta harrojmë, por edhe aty ku e kanë të drejtën e gjuhës shqipe, nuk e përdorin. E dijmë që maqedonishten e flisni më mirë se shqipen, nuk është risi kjo, por kjo është vetëm për qytetarët shqiptarë ti kujtojmë se këta puthadorë, vazal dhe të nënshtruar, kënaqen, ekzaltohen, shpërfytirohen kur flasin maqedonisht.” tha ai.

Sipas tij, shqiptarët e kanë të qartë se kush është BDI pasi që po kalojnë mbi dy vite që nuk mund të rregullojnë një çështje teknike në thonjëza për sa i takon diskutimeve të deputetëve shqiptarë.

“Fatkeqësisht shqiptarët nuk e kanë të drejtën t’i dëgjojnë deputetët e tyre në gjuhën shqipe, por i dëgjojnë të dubluara në maqedonisht, dhe qoftë për një minutë nuk ishin në gjendje që t’ia mundësojnë nënkryetares së Parlamentit Suzana Saliu të udhëheqë një herë një seancë në gjuhën shqipe”, tha Bekim Fazliu duke kërkuar pauzë në shenjë bojkoti për mos-respektimin e gjuhës shqipe në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Back to top button