PPD, tendence për orekse të vejtra politike

Analistët politik hedhin dyshimet rreth motiveve që lidhen me riaktivizimin e PPD-së.

Xhelal Neziri dhe Albert Musliu për Alsat, janë shprehur se ringjallja e PPD-së më shumë lidhet me përmbushjen e ambicieve personale të figurave të caktuara politike se sa për të konkurruar me ndonjë ofertë të caktuar në të mirë të qytetarëve.

“Ajo që është tragjike sipas meje është riciklimi i partive të cilat kanë përfunduar në koshin historik. Andaj ky lloj riciklimi flet për krizën e përgjithshme në të cilin gjendemi ne si elektorat, shqiptar dhe qytetarë të këtij vendit. Rikthimi i PPD-së nuk do të ofrojë asgjë të re dhe është një zhgënjim pikërisht atyre njerëzve, iniciatorëve  se do të rikthehet fama apo nami i vjetër” ka theksuar për Alsat analisti Xhelal Neziri.

Ndërkaq analisti Albert Musliu  ka shprehur skepticizëm se PPD-ja do të arrijë ndonjë sukses që do të mund të shqetësoj subjektet e etabluara parlamentare në Maqedoni.

“PPD-ja nuk është subjekt i ri i cili mund të thirret në  vizione dhe drejtime të reja. Prapë se prapë është një subjekt i vjetër i cili i ka mangësitë që i kanë edhe subjektet ekzistente. Prandaj nuk ka diçka që të mund të sulmojë subjektet ekzsitente politike ndërsa nëse kthehet në historinë e vetë disa prej atyre gabimeve vetë nuk i ka bërë”, ka theksuar Musliu.

Musliu dhe Neziri duke e komentuar përçarjen në dy tabore të partisë për shkak të kreut të partisë konstatojnë se PPD-ja është rikthyer e pa reformuar dhe pa i tejkaluar mosmarrëveshjet e brendshme që çuan edhe në shuarjen e saj./ Alsat- M

Lajme të ngjashme

Back to top button