Jashari: Pjesëmarrja e qytetarëve në vendim-marrje, shpresë për të ardhme evropiane të Maqedonisë

Këmbimi i përvojave për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendim-marrje dhe përmirësimin e marrëdhënies së tyre me institucionet shtetërore janë shpresë-dhënëse për të ardhmen e Maqedonisë dhe vendeve tjera që synojnë të integrohen në UE, deklaruan përfaqësuesit e sektorit qytetar nga Ballkani Perëndimor dhe Rajoni i Vishegradit. Diskutimi, respektivisht punëtoria e sotme me temë “Praktika të mira për qeverisje të mirë” ishte pjesë e projektit ACTION VISHEGRAD SEE dhe u mbajt në Dhomën publike në Shkup, njofton Portalb.mk.

Sipas drejtorit të Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, pavarësisht se në regjion po ndodhin procese të mbrapshta, përpjekjet për t’i përmbushur standardet e UE-së dhe ato ndërkombëtare për qeverisje më të mirë, iniciativat e ngjashme si OPG (Open Government Partnership) japin shpresë se në vendet në fjalë do të përforcohet kualiteti i jetës, solidariteti dhe demokracia.

“Projekti paraqet bashkëpunim në mes organizatave joqeveritare të regjionit të Ballkanit: Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Boshnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi dhe regjionit të Vishegradit: Sllovaki, Hungari, Poloni dhe Çeki. Është një mundësi e mirë për të ndarë praktikat pozitive dhe negative se si qytetarët mund të marrin pjesë në vendim-marrje duke përdorur mjetet dhe teknologjitë e reja.” tha Jashari.

“Jemi këtu që konkretisht ta shohim se si është gjendja në Maqedoni e t’i këmbejmë përvojat nga vendet tona. Kjo me qëllim që të sjellim përfundime se si mund ta rrisim bashkëpunimin mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre, respektivisht institucioneve shtetërore.” deklaroi nga CRTA – Serbi, Ivana Saviq.

Pjesëmarrja e qytetarëve në vendim-marrje, shpresë për të ardhme evropiane të Maqedonisë

 “Ky projekt do të mundësojë që jo vetëm qytetarët të mësojnë se si të marrin pjesë në vendim-marrje, si OJQ-të të kontribuojnë në këtë proces, por do të shërbejë edhe si shembull i mirë për institucionet shtetërore në nivel lokal dhe nacional se si t’i përmirësojnë shërbimet që i japin ndaj qytetarëve dhe ta përforcojnë marrëdhënien e tyre me qytetarët. Sepse jemi dëshmitarë që kohët e fundit kjo marrëdhënie është shumë e dobët dhe besimi i qytetarëve është shumë i ulët” tha Jashari.

I pyetur rreth mos-transparencës së institucioneve publike, Jashari deklaroi se institucionet janë të tilla ose për shkak të mungesës së vetëdijes së nëpunësve shtetëror për përparësitë e transparencës ose për shkak se tentohet të fshihen keqpërdorimet e detyrave zyrtare.

Ndonëse qëllimi i takimit ishte rritja e transparencës së institucioneve shtetërore Gordana Dimitrovska nga Ministria për Shoqëri Informatike nuk qe transparente. Ajo nuk pranoi të fliste para gazetarëve e t’iu përgjigjej pyetjeve të tyre, me arsyetimin se kishte ardhur me ftesë të Fondacionit Metamorfozis dhe se gjithçka që kishte për të thënë do ta thoshte në tryezën e diskutimit.

Ndryshe, panelistë të ngjarjes ishin: Mikal Shkop nga “Kohovolit” – Republika Çeke, Boris Bërkan nga “Zashto ne?” – BdheH, Ivana Saviq nga CRTA – Serbi, si dhe Filip Çaparoski nga Instituti nacional demokratik, Gordana Dimitrovska nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Natali Petrovska nga Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë, Qëndresa Sulejmani nga Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave, Visar Shehu nga TIK-u për ndryshime dhe Damir Neziri nga Fondacioni Vestminster./Portalb.mk

Gordana Dimitrovska nga Ministria për Shoqëri Informatike
Gordana Dimitrovska nga Ministria për Shoqëri Informatike

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button