Vuçiç: Serbia gjithmonë e angazhuar për zhvillimin e marrëdhënieve me Shqipërinë

Kryetarët e qeverive të Serbisë dhe Shqipërisë, Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama, biseduan sot në Beograd për marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik, krizën e migrantëve dhe marrëdhëniet në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç tha se Serbia përherë është e angazhuar që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe se zhvillimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.

Ai tha se është me rëndësi që vendet të zhvillojnë edhe bashkëpunimin ekonomik, veçmas në sferat e tregtisë, energjetikës, infrastrukturës dhe bujqësisë. Vuçiç dhe Rama konstatuan se mbajtja e Forumit të biznesit Serbi – Shqipëri, nesër në Nish, “është dëshmi e vullnetit të të dyja palëve për inkurajimin e biznesmenëve serbë dhe shqiptarë në realizimin e lidhjeve më të forta afariste që sa më shumë të kontribuojnë në përparimin e ekonomisë së të dyja vendeve”, theksohet në njoftimin e qeverisë serbe.

Ata vlerësuan se kontaktet e zyrtarëve të të dy vendeve gjatë dy viteve të fundit inkurajojnë dhe japin nxitje për kapërcimin e dallimeve dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal.

Vuçiç shtoi se është me rëndësi që Serbia dhe Shqipëria së bashku të realizojnë projekte në kuadër të procesit të Berlinit, si projekte infrastrukturore, siç është ndërtimi i autostradës Nish-Prishtinë-Durrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button