Greqi, Shqipëri: trafikimi i marijuanës dhe krimet e tjera

Policia greke thotë se organizatat kriminale po kombinojnë aktivitetin e transportimit të marijuanës nga Shqipëria drejt Greqisë me aktivitete të tjera të paligjshme.

Sipas burimeve zyrtare greke zbulimi i një grupi kriminal në zonën e Atikës ka provuar se krahas futjes në Greqi, transferimit dhe trajtimit të sasive të mëdha të marijuanës shtatë të arrestuar, mes të cilëve tre shqiptarë, merreshin edhe me trafikim automjetesh të vjedhura dhe shitje të pjesëve të automjeteve, transmeton Zëri i Amerikës.

Policia greke tha se një prej shqiptarëve të arrestuar kishte organizuar transportimin e qindra kilogramëve marijuanë nga kufiri shqiptar me kafshë dhe automjete drejt Janinës. Policia greke ka pohuar se lënda narkotike më pas transferohej në Athinë për t’u shpërndarë në tregun e narkotikëve në sasi të vogla.

Nga hetimet e policisë greke grupi i specializuar në vjedhjen makinave dhe kamionëve kishte hapur edhe një biznes “skrapi” për automjetet, për të fshehur aktivitetet e paligjshme, përfshi edhe atë të marijuanës. Policia greke tha se krahas dokumentimit të 64 rasteve të grabitjes së mjeteve, grupit i ishin bllokuar 72 automjete luksoze dhe kamionë të vjedhur, disa qindra kilogramë marijuanë, pjesë të automjeteve të vjedhura, targa dhe certifikata të regjistrimit, karta të rreme identiteti, çelësat e makinave, stoli dhe telefona celularë. Policia greke tha se arrestimet e shqiptarëve ishin kryer në rajonin e Janinës gjatë zhvendosjes të një sasie të madhe të marijuanës dhe më pas në pranga ranë edhe katër shetas të huaj mes të cilëve edhe një 54 vjeçar austriak.

Veprimtaria e grupeve kriminale ka nisur të rritet në kufirin shqiptaro – grek pas përmasave të kultivimit të marijuanës në Shqipëri. Greqia është destinacioni i dytë i marijuanës shqiptare pas Italisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button