Fyle kërkon rezultat për reformat në kodin zgjedhor, gjyqësorin dhe lirinë e medias

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle në takimin e zhvilluar në zyrën e tij në Bruksel me zëvendëskryeministrin për evrointegrime të Maqedonisë, Fatmir Besimi dhe ministrin e jashtëm, Nikolla Popovski, ka kërkuar rezultate nga autoritetet në Shkup për reformat, kodin zgjedhor, gjyqësorin dhe lirinë e medias.

Zyra e evrokomisionerit Fyle pas takimit përmes një komunikate ka bërë të ditur se në qendër të bisedës ka qenë zbatimi i marrëveshjes politike të vitit të kaluar midis partive politike për përforcimin e dialogut politik dhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe tensioneve politike, zbatimi i reformave prioritare sidomos në fushën e lirisë së medias, pavarësisë së gjyqësorit dhe kodit zgjedhor. 

“Fyle dhe dy ministrat janë dakorduar për të vazhduar diskutimet për forcimin e dialogut para qasës të nivelit të lartë, para shpalljes së raportit të ardhshëm për vlerësimin e përparimit, me qëllim që vendi të ecë drejt rrugës së integrimeve në BE”, thuhet në komunikatën e kabinetit të evrokomisionerit Fyle.  

Zëvendëskryeministrit Besimi tha se në Bruksel dhe në takimin me Fyle kanë biseduar për arritjet e deritanishme që janë bërë nga autoritetet e Shkupit në planin e evrointegrimeve, por edhe plotësimi i rekomandimeve të bëra nga BE. 

“Në këtë takim është përmendur edhe marrëveshja e arritur për ndryshimet e Kodit zgjedhor, e miratuar me konsensus nga partitë më të mëdha politike. Më pas, është folur edhe për ndryshimet në Ligjin për mediat dhe vazhdimin e dialogut me gazetarët, si dhe ndryshimet në ligjet për administratën publike. Temë e bisedimeve ishin edhe prioritetet, si dhe dinamika për vazhdimin me dialogun inkuadrues të nivelit të lartë”, deklaroi zëvendëskryeministri për evrointegrime, Fatmir Besimi. 

Ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski tha se temat e diskutuara kanë qenë edhe për ate se çfarë duhet bërë në periudhën e ardhshme dhe si të shfrytëzohet sa më mirë periudha deri në raportin e ardhshëm të progresit.

“Qëllimi është që në mënyrë sa më të fokusuar dhe më përmbajtjesore ta shfrytëzojmë këtë periudhë, si sikur do të ishim në fazën e negociatave. Mendoj se ky diskutim ishte i dobishëm që t’i shohim perspektivat e të gjithëve në lidhje me ato reforma të cilat janë të rëndësishme në procesin e negociatave”, theksoi ministri Poposki.

Dy ministrat janë takuar edhe me drejtorin e Drejtorisë për zgjerim të BE-së, Kristian Danielson dhe me raportuesin për Maqedoninë të Parlamentit Evropian, Riçard Hovit. Sipas tyre edhe në këto takime janë diskutuar temat e njëjta që kanë të bëjnë me plotësimin e detyrimeve për anëtarësim dhe reformat.

Lajme të ngjashme

Back to top button