Thaçi kërkon hetime për krimet e kryera gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Prokuroria e shtetit të hetojë krimet dhe rastet e ndodhura para dhe pas luftës së fundit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë e bëri të ditur Presidenti Thaçi në një konferencë për media, i cili u shpreh se tani drejtësia e vendit është e gatshme të përballet me sfidat dhe nevojat e shtetit të Kosovës.

“Falë profesionalizmit, paanshmërisë, përkushtimit të dëshmuar të të gjithëve që punojnë në sistemin e drejtësisë, tani i kemi marrë në duart tona përgjegjësitë që nuk i kemi pasur asnjëherë që nga përfundimi i luftës. Vendi ynë që nga përfundimi i luftës ka përgëzuar përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë në ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve të drejtësisë dhe në shtimin e kapaciteteve për të ndërmarrë hapa ligjor dhe profesional për zbardhjen e të gjitha veprave kriminale”, u shpreh Thaçi.

“Pasi që këto kompetenca të drejtësisë tani më janë bartur tek institucionet vendore”, Thaçi bëri të ditur se sot ka dërguar 4 letra në zyrën e kryeprokurorit të shtetit dhe tek këshilli prokurorial i Kosovës. Në këto letra ai ka kërkuar që t’i kushtohet vëmendje të veçantë krimeve të kryera gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Thaçi bëri të ditur se në letrën e parë ka kërkuar të hetohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, siç është masakra kundër familjes Jashari, masakra e Reçakut, Mejës, Dubravës, Qyshkut, Lubeniqit, dhe për ato që kanë ndodhur kudo në Kosovë.

Në letrën e dytë, Thaçi bëri të ditur se ka kërkuar që vëmendje të veçantë t’I kushtohet krimeve serioze që janë kryer menjëherë pas luftës, dhe për ato të kryera më vonë, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999 dhe atentati ndaj Ibrahim Rugovës në vitin 2005.

Në letrën e tretë, Thaçi deklaroi se ka kërkuar nga organet e drejtësisë që t’i kushtojnë vëmendje dhunës seksuale të ushtruar ndaj vajzave dhe grave gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999. Ai shtoi se disa nga krimet e luftës janë ndërmarrë nga organet kombëtare të drejtësisë, por që asnjëra nuk e ka marrë përgjigjen e merituar.

Në letrën e tij të katërt, Thaçi ka njoftuar se ka inkurajuar Zyrën e Prokurorit të Shtetit që vëmendje të veçantë t’i kushtojë zbardhjes së vërtetës të shkatërrimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike.

“Shkatërrimi masiv i objekteve të kultit islam e katolik, të kryer qëllimisht nga shteti i Serbisë, kanë qenë përpjekje e shfarosjes fizike të popullit të Kosovës gjatë luftës së vititi 98-99. Mbi 200 objekte, pra mbi 40 përqind të objekteve të fesë islame si dhe 5 kisha katolike janë shkatërruar apo dëmtuar në mënyrë sistematike, nga policët dhe ushtritë të urdhëruara nga shteti i Serbisë”, tha Thaçi.

Ndërkaq, sa i përket pjesës së trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, ai theksoi se,“Jemi krenar që gjatë luftës asnjë objekt që i ka takuar kësaj trashëgimie nuk është cënuar, kurse pas luftës ka pasur dhjetëra sulme dhe shkatërrime të këtyre objekteve nga individë apo grupe kriminale”. Thaçi gjithashtu shtoi se përkundër kornizës së qartë ligjore, këto raste të izoluara ende po ndodhin dhe kërkoi zbardhjen edhe të këtyre sulmeve kriminale.

“Duke respektuar trashëgiminë historike të çdo komuniteti mund të marrim në duar të ardhmen tonë dhe të ndërtojmë rrëfimin tonë të përbashkët multietnike, multifetare të shoqrisë sonë. Kjo është pasuria më e madhe e Kosovës. Duhet të tregojmë para të gjithëve se Kosova ka kapacitete dhe populli ynë ka gadishmëri që të ruajë historinë e vet”, tha Thaçi,

Duke treguar besimin e plotë ndaj organeve të drejtësisë së Kosovës, presidenti Thaçi theksoi se në rast nevoje do të ndahen mjete shtesë për ekspertizë të këtyre rasteve, deri në zbardhjen e tyre.

Ai në fund ritheksoi se arsyeja e dërgimit të këtyre letrave po në këtë kohë është se “Që nga qershori i këtij viti, pothuajse të gjitha kompetencat ekzekutive nga EULEX-i janë bartur në institucionet e drejtësisë vendore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button