Gjiknuri: Nuk ka marrëveshje me Maqedoninë për devijimin e Radikës

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri ka theksuar se nuk ka marrëveshje me Maqedoninë për devijimin e lumit të Radikës. Në një konferencë për shtyp, ministri Gjiknuri i është përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me diskutimet e shumta për devijimin e këtij lumi, si dhe protestat e qytetarëve.

Kreu i Energjetikës tha se “nuk ka asnjë lloj marrëveshje të tillë”, por vetëm marrëveshje ndërkufitare mes dy vendeve për administrimin e përbashkët të ujërave, ndërsa i quajti debatet lidhur me këtë çështje “Furtunë në një gotë bosh”. 

“Kjo është furtunë në një gotë bosh. Nuk ka asnjë lloj marrëveshje. Ka vetëm një marrëveshje ndërkufitare, për trajtimin e përbashkët të ujërave mes dy vendeve, çdo lloj projekti që ka impakt mbi këto ujëra, mbrohet nga këto marrëveshje. Nuk di kush kërkon të krijojë këtë situatë të ndërlikuar, ndërsa vetë ministrat maqedonas e kanë mohuar të ketë një gjë të tillë”, tha ministri Gjiknuri.

Topi kundër devijimit
Lumin Radikë tanimë e mbështetën edhe  ish kryetari i Republikës së Shqipërisë ,Bamir Topi i cili deklarohet  kundër projektit “Fusha e Lukovës” dhe kundër devijimit të lumit Radikë.

Berisha: Rama i ka fajet
Ish kryeministri Berisha akuzon kryeministrin Rama për çështjen e lumit Radika. Sipas tij qeveria Shqiptare dhe ajo Maqedonase kanë diskutuar dhe kanë rënë dakord për parim për projektin.

“Devijimi i lumit zvogëlon shumë edhe ujërat e Drinit të Zi. Duke mirëpritur plotësisht nevojat dhe përpjekjet e Maqedonisë për burime energjetike, ju bëj thirrje autoriteteve të këtij vendi të heqin dorë nga ky projekt, i cili është pritur me zemërim legjitim nga qytetarët e Dibrës së Madhe. I bëj thirrje Bankës Botërore , tek e cila qeveria maqedonase ka dorëzuar projektin, të mos mbështesë një projekt që dëmton Parkun Nacional të Mavrovës dhe që vjen në kundërshtim me disa konventa ndërkombëtare për mjedisin dhe ujërat “ shkruan Berisha.

Ai gjithashtu thekson se prononcimi i Ramës , se nuk ka projekt për devijimin e Radikës dhe se “ nuk di asgjë, nuk shoh asgjë” është thjesht dëshmi  tjetër e kodit të heshtjes dhe trillimit të tij të radhës në kuadrin e platformës së tij të politikës , të zero problemit më fqinjët. 
“E vërteta është se mes dy qeverive është diskutuar për projektin, mënyrën e kompensimit të Shqipërisë, madje në parim është rënë dakord me të“ shkruan Berisha. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button