Bushati takon përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar të Malit të Zi

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka realizuar sot një takim me përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar të Malit të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e takimit të mbajtur në Ministrinë e Jashtme ishin Genci Nimanbegu, përfaqësuesi i listës “Shqiptarët-Të Vendosur”, Nikollë Camaj nga Lista e Lidhjes Demokratike të Shqiptareve, etj.

Në përfundim të takimit Bushati dhe përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Malit të Zi kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh në fjalën e tij se shqiptarët e Malit të Zi përbëjnë një faktor të rëndësishëm në proceset integruese të vendit.

“Ky takim realizohet për të ndërtuar një platformë të përbashkët bashkëpunimi në funksion të avancimit të mëtejshëm të lirive dhe drejtave themelore të shqiptarëve në Malin e Zi. Siç dihet shqiptarët e Malit të Zi ishin një faktor për pavarësinë e Malit të Zi dhe ishin forcat kryesore mbështesë të proceseve të integrimit euro-atlantik. Dhe është fakt se sot Mali i Zi është më pranë se kurrë momentit zyrtar të anëtarësimit në NATO. Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira me Malin e Zi dhe dëshirojmë që të kultivojmë marrëdhënie sa më të mira fqinjësore dhe gjithashtu të zbatojmë projekte të përbashkëta. Sot diskutuam disa ide në kuadër të ndërlidhshmërisë së rajonit”, theksoi Bushati.

Genci Nimanbegu, përfaqësues i listës “Shqiptarët-Të Vendosur”, theksoi në konferencë se për shqiptarët në Malin e Zi ka më shumë gjëra se çfarë ti bashkojnë sesa ndajnë . “Mesazhi i takimit të sotëm dhe mesazhi që ju në Shqipëri duhet të keni është të keni vëmendjen për të drejtat tona në Malin e Zi , duke synuar që edhe Mali i Zi të jetë pjesë e NATO-s. Shumë të drejta tona politike, ekonomike, shumë vende pune nuk janë të realizuara në masat e duhura. Besoj se bashkëpunimi në të ardhmen do të rritet”, theksoi Nimanbegu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button