Gullen kundër Erdogan

Nga Pensilvania e Shteteve të Bashkuara, Fetullah Gullen, imami karizmatik dikur ish-aleati i Erdogan akuzoi kryeministrin turk se ka braktisur idealet e demokracisë dhe rrugën e reformave për të cilat u zotua dhe erdhi në pushtet 1 dekadë më parë.

Në një intervistë përmes postës elektronike me ‘Wall Street Journal’, Gulen thotë se turqit janë të zemëruar që në dy vitet e fundit progresi është shndërruar në regres. “Spastrimet në radhët e mbështetësve, bazuar në ideologji, simpati apo këndvështrimin e të tjerëve ishin një praktikë e së shkuarës, që partia që është sot në pushtet premtoi se do t’u luftojë”, tha Gullen.

Kleriku karizmatik turk nuk përjashtoi mundësinë që lëvizja e tij “Hizmet”, apo shqip ‘Shërbim’ të sfidojë kryeministrin Erdogan në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, pavarësisht numrit të madh të ndjekësve, e vetme kjo lëvizje do të kishte pak shanse për të rrëzuar Erdogan, ndaj ka lindur nevoja e bashkëpunimit me opozitën laike, Partinë Republikane e formuar nga babai i Turqisë moderne, Mustafa Qemal Ataturk, armike e përbetuar e Erdogan.

“Kur mundësia të vijë, anëtarët e ‘Hizmet’, ashtu si gjithë qytetarët e tjerë do të bëjnë zgjedhjen e tyre bazuar në vlerat që bartin dhe është e mundur që njerëzit që ndajnë të njëjtat vlera, të njëjtat parime të qëndrojnë në të njëjtën anë”, tha ai.

Në fillim të dhjetorit delegacione të lëvizjes së mbështetësve të Gullen dhe të Partisë Republikane u takuan në Nju Jork, por asnjë deklaratë nuk u lëshua pas këtij takimi.

Deklarata e Gullen konfirmon prishjen përfundimtare të një aleance që lindi që prej 2002-it, kur Erdogan erdhi në pushtet. Në më shumë se 1 dekadë qeverisje vendi njohu një rritje ekonomike dhe të influencës së tij ndërkombëtare. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button