Reagimet: Paragrafi i Blushit që zemëroi ‘gratë e PS-së’

Deputeti socialist, Ben Blushi, deklaroi largimin nga Partia Socialiste me një shkrim të publikuar fillimisht në gazetën Panorama.

Analisti Skënder Minxhozi thotë për BIRN se është skeptik nëse Blushit do i bashkohet dikush tjetër nga grupi i PS, përveç deputetes Mimoza Hafizi, transmeton mapo.al

Por ishte pikërisht një paragraf në shkrimin e Blushit që, jo vetëm u shpërnda shumë në rrjetet sociale, por solli edhe reagimin e dy prej zyrtareve socialiste.

“Ata ngrihen çdo ditë në mëngjes dhe ndajnë Delirin me Salirin, Salirin me Ilirin dhe Ilirin me Delirin, pastaj me radhë Fatmirin nga Bamirin, Shpëtimin nga Parimin, Liken nga Rimin, Hasanin nga Kazanin, Shukriun nga Sadriun, Markun nga Carkun, Vrasësin nga Marrësin, Kapësin nga Hapësin, Shalësin nga Shilarësin, Patokun nga Bosi, Koçon nga Patosi, Qimen nga Kosi, Qullin nga Klosi, Klosin nga Gjushi, Taon nga Askushi, Blerimen nga Dushi, Elisën nga Sushi, Doganën nga Kaushi, Ndezjen nga Prushi, Tatimen nga Pushi, Puplën nga Kaposhi, Fidelin nga Varoshi, Lezhën nga Ndoshi, Kavajën nga Roshi, Gramozin nga Qoshi dhe Edin nga Koshi,” shkruante Blushi.

E para që reagoi ishte Elisa Spiropali.

“Ti që shkruan për ligjet, po nuk lexon asnjë nen; Ti që flet po nuk dëgjon; Ti që prodhon rima pa kuptim dhe pa qëllim; Ti që u qan hallin njerezve që s’di t’iu japësh as dorën; Ti që e do Shqipërinë vetëm si maskë për mungesën tënde të dashurisë për të; Ti që merresh me ekonominë në tribunë se nuk bëre dot ekonomi për vete në tryezën e qeverisë; Ti që ke qenë tre herë ministër dhe bëre tre vrima në ujë; Ti që parimet i ke armë për interesat e tua krejt personale; Ti që reciton broçkulla si të Lulit se mendon se shqiptarët nuk meritojne respekt, po vetëm manipulim; Ti që di të bësh vetëm sherr se s’di të ujisësh asgjë etj. Ti je kazani i ambicies tënde që nuk përputhet me paaftësinë tënde!

Kam vite që s’të dëgjoj asnjë ide origjinale dhe më ka ardhur sinqerisht keq kur bëre thirrje të shkruhen emrat e kolegëve nëpër kazanë duke u shitur si origjinal. Sepse unë e mbaj mend mire, kur protestoja kundër firmës tënde si ministër i Nanos, që emri yt u shkrua nëpër kazanë sepse ishe ti që firmose vendimin famëkeq të asaj qeverie për të ndërtuar katër furra gjigande për djegien e plehrave të kamorres italiane.

Dhe kurajo të madhe ke sot kur ajo kompani që i dhe firmën kërkon 400 milionë euro nga shteti shqiptar pse nuk solli dot plehrat në Shqipëri, zotrote kap flamurin e ekologjistit për të dalë nga partia, ku more çfare munde dhe kurrë nuk u mor vesh çfarë dhe!

Riciklim të mbarë Blush, sot ke qenë më në fund i vërtetë në paaftësinë tënde për të qenë sadopak solidar në një parti ku përfaqsove vetëm egoizmin tënd plastik!” shkruan Spiropali.

Po kaq e ashpër në reagimin e saj është edhe deputetja Blerina Gjylameti.

“Blushi! E lexova edhe unë letrën tënde fyese për ne që paskemi ndotur dorën tënde kur ta paskemi dhënë dorën tonë. Në fakt, duke qenë se nuk e mbaj mend të më kesh dhënë ndonjëherë dorën, mund të ndjehesha mirë personalisht kur lexova atë letër çedukuese për çdo nxënës. Por s’kam si ndjehem mire kur mendoj për gjithë të tjerët që kanë pasur privilegjin të të japin dorën ty. Që siç e dinë të gjithë nuk di t’i japësh askujt dorën njerëzisht! Aq sa u bëre barcaletë në Elbasan, që shkoje laje duart sa herë takoje ndonjë nga të varfrit që ke marrë përsipër të përfaqësosh sa herë ngre dorën kundër qeverisë dhe PS, që kur nuk u bëre ministër. Në fakt kur nuk të njihja dhe s’kisha pasur fatkeqësinë të të dëgjoja se me çfarë gjuhe të rëndomtë flet me njerëzit kur s’ke kamerat përpara, çoç më dukeshe. Po kur të njoha dhe provova vetë në lëkurë, ofendimet e tua skandaloze, kuptova edhe sa i lehtë je në gjykimet e tua që i shet gjithë pompozitet. Kuptova që ti s’merr vesh nga asgjë që merr përsipër të gjykosh jashtë fushës së profesionit tënd. S’e kam për librat sepse s’të kam lexuar asnjë të them të drejtën, pasi në atë pak kohë të lirë që më mbetet lexoj letërsi të miratuar botërisht si cilësore. Po e kam për llafollogjinë tënde politike që është një fukarallëk i madh. Kam tre vjet që dëgjoj dënglat e tua në parlament dhe habitem me cektësinë dhe hipokrizinë tënde. Di të them që ti je një llafazan pa asnjë ide tjetër të madhe në kokë përveç delirit tënd të madhështisë.

Blush, ti je një nga njerëzit që je privilegjuar përherë në PS, pa sakrifikuar asgjë për të dhe kolegët e tu. Ku ishe ti Blush, në grevën e urisë? Ku ishe ti Blush, në betejën për votën e lire? Ku ishe ti, në 21 janar? Ti gjithmonë je fshehur. Nuk ke dale kurrë në krye të aksioneve të socialistëve, të protestave, por ke qenë përherë i pari në përfitime. Ai kazan, ku ti fut kolegët, është vendi ku ti herë pas here ke nevojë të kthjellohesh e të kuptosh se ke fituar me të padrejtë në këtë parti, prej 20 vjetësh. E meqë e ke me qejf riciklimin, po të them që mbetesh hipokrit dhe egoist i pariciklueshem!

Ikja jote nga PS dhe mënyra si ike, duke sharë e ofenduar njerëzit që deri dje kishe delirin se mund t’i udhëhiqje, janë pasqyra më e mirë që u ke dhënë njerëzve për të parë se sa njeri i vogël je! Rrugë të mbarë Blushi dhe kujdes dorën tani që vendose të luftosh hapur për plehrat. Shyqyr që me firmën e asaj dore, s’na i solle dot në Shqipëri kur ishe ministër”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button