Daçiq: Nuk do të ketë referendum në Vojvodinë

Duke komentuar mbi zgjedhjet e ardhshme të cilat do të mbahen në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), Mal të Zi, Maqedoni dhe Austri, Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se nuk është me rëndësi se cili opsion politik do të fitojë në kuptimin ideologjik, por se a janë të gjithë të përcaktuar për stabilitetin e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Serbia vazhdimisht thekson se nga ana jonë ekziston qasje konstruktive ndaj dialogut për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura. Nga ana tjetër, nuk mund që çështjet e hapura të na mbajnë të lidhur me të kaluarën, dhe të mos shikojmë se çfarë është në të tashmen dhe të ardhmen”, ka thënë Daçiç, duke shtuar se gjithçka varet nga udhëheqësit, gjegjësisht nga gatishmëria e tyre për të “shtyrë një politikë të stabilitetit rajonal”.

I pyetur të komentojë paralajmërimet e referendumit në krahinën autonome të Vojvodinës dhe në Kosovë për bashkim me Shqipërinë, Daçiç tha se ato janë gjëra joserioze.

“E dini, Izetbegoviç flet për një referendum në Republikën Sërpska ndërsa partia e tij në vitin 1991 organizoi një referendum në Sanxhak. A jemi ankuar, a ka derdhur lotë bashkësia ndërkombëtare mbi këtë referendumin, siç bën sot për referendumin në RS? Ata me vite kanë kërkuar një ndryshim të Marrëveshjes së Dejtonit, duke thënë se marrëveshja nuk është e mirë, është vjetëruar. Tani papritur Republika Sërpska gjoja rrënon Marrëveshjen e Dejtonit. Çfarë mbetet me vendimet tjera të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Daçiç.
Ai shtoi se në Mostar me vite nuk mund të zgjidhet kryetari i komunës për shkak të raporteve mes muslimanëve dhe kroatëve dhe se ka ende shumë vendime jokushtetuese në BeH.
“Prandaj, lejoni t’i kthehemi stabilitetit dhe dialogut. Sa i përket referendumit në Vojvodinë, një gjë tillë nuk do të ketë, sepse për atë duhet të merret vendim ndërsa ata që propozojnë atë referendum nuk kanë shumicë për marrjen e një vendimi as në një bashki lokale, këshill e lëre më në Kuvendin krahinor”, tha ai.

Lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Daçiç mendon se është shumë mirë që është paraqitur kjo ide, sepse Serbia rreth kësaj flet tashmë 20, 30 vite, meqë esenca e politikave të tyre është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, sepse siç thotë ai, atje nuk jetojnë dy popuj, por vetëm një popull.

“Kosovarët nuk janë komb, por shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovë si dhe serbët që jetojnë në Kosovë. Gjatë gjithë këtyre viteve keqpërdoret e drejta për vetëvendosje të shqiptarëve të Kosovës ndërsa shqiptarët e kanë shtetin e tyre – Shqipërinë me anë të së cilës e kanë realizuar të drejtën e vetëvendosjes. Ata në Kosovë janë pakicë kombëtare në kuadër të Serbisë, e cila nuk ka të drejtë për vetëvendosje. Ashtu që është shumë mirë që është paraqitur kjo ide, që bashkësia ndërkombëtare të shohë se ne kemi qenë në të drejtë. Por, mendoj se derisa ndokush nga Perëndimi nuk u jep sinjal, sigurisht se nuk do ta organizojnë”, tha Daçiç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button