Nishani: Parlamenti aktual përpara se të shpërndahet duhet të zgjedhë Presidentin që do të vijojë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ofruar interpretimin e tij kushtetues në lidhje me çështjen kur duhet të zgjidhet pasardhësi i tij. Sipas Nishanit, përpara se të shpërndahet, Parlamenti aktual duhet të zgjedhë Presidentin e ri. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se sido që të rrjedhin zhvillimet politike, nuk ka ndërmend të dalë në pension pas përfundimit të mandatit.

Ndërkohë që në Tiranë politika shqyrton skenaret e mundshme mbi kohën e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm, Kreu aktual i Shtetit bën me dije nga Amerika interpretimin që i ka bërë Kushtetutës. Në një intervistë për Illyria Press, Bujar Nishani thotë se i takon këtij parlamenti që të zgjedhë presidentin e ri, para se të shpërndahet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.
“Për herë të parë ndodh që Presidenti zgjidhet në të njëjtën kohë me parlamentin e ri. Prandaj, parlamenti aktual, përpara se të shpërndahet duhet të zgjedhë presidentin që do të vijojë. Sido që të ndodhë, unë ju garantoj juve, opinionin publik, të gjithë ata që janë të interesuar për mënyrën e funksionimit të Zyrës së Presidentit të Republikës, se deri në datën 24 korrik 2017, ajo do të funksionojë në përmbushje të plotë të detyrave dhe të drejtave të mia kushtetuese.”
Pavarësisht këtij interpretimi të Presidentit, mazhoranca po shqyrton hapësirat që lejon Kushtetuta për t’ia kaluar Parlamentit të ardhshëm zgjedhjen e Kreut të ardhshëm të Shtetit.
Bujar Nishani nuk e fsheh dëshirën për t’u konfirmuar me një mandat të dytë, ndonëse është i vetëdijshëm se kjo varet nga humoret e shumicës parlamentare.
“Pa dyshim që te çdo presidenti që mbyll një mandat, është krejt e natyrshme synimi i një mandati të dytë kur ai mendon se e ka kryer me përpjekje të sinqerta dhe të vërteta punën në mandatin e parë dhe që ka besim se mund të japë ende kontribute, në një mandat tjetër. Por, në sistemin tonë, kjo nuk mbetet vetëm në dëshirën e presidentit të Republikës. Kjo është e ndërthurrur me vullnetin e mazhorancës përkatëse në parlamentin e Shqipërisë“- deklaroi kreu i shtetit.
Cilatdo qofshin zhvillimit e verës së ardhshme, Bujar Nishani sqaron se nuk ka ndërmend të dalë në pension, ndërsa shton se mbetet për t’u parë cila do të jetë rruga që do të ndjekë aktiviteti i tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button