Lëvizja për Bashkim bisedimet me Serbinë i konsideron me pasoja për Kosovën

Lëvizja për Bashkim përmes një komunikate për opinionin thekson se rrjedha e bisedimeve me Serbinë paralajmëron pasoja afatgjata për Kosovën.

Në komunikatë theksohet:

Shumë kohë para fillimit të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë Lëvizja për Bashkim është shprehë qartazi dhe publikisht se bisedimet me Serbinë janë të domosdoshme dhe shumë të nevojshme. Bisedimet për të qenë të frytshme dhe dobiprurëse do të duhej të ishin politike dhe të përgatitura mirë. Ato do të duhej të shfrytëzoheshin për zgjidhjen e problemeve të mbetura mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete fqinje dhe për fuqizimin Kosovës dhe rolit të saj. Por nuk ka ndodhur as njëra e as tjetra. Prandaj, për Kosovën, pasojat do të jenë afatgjate dhe vështirë të riparueshme!

Që në hapat e para të këtyre bisedimeve, në vitin 2011, u bënë gabimet e mëdha nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kosova lejoji të ashtuquajturat bisedime teknike, që në realitet në bisedime u shtruan tema të brendshme të Kosovës si asociacioni, telekomunikacioni, funksionimi i sistemit energjetik i Kosovës etj., dhe lëshimet e pashmangshme do të kenë pasoja politike afatgjate.

Pastaj u kalua në bisedimet politike pa asnjë përgatitje, pa u konsultuar forcat politike në vend, pa një platformë për bisedimet dhe pa një orientim të qartë e në përputhje me rrethanat! Në këto bisedime u la anash çështja jetike e Kosovës Lindore, zgjidhja e së cilës, përveç se do t’i hapte mundësi të mëdha Kosovës dhe mbarë kombit, do të ishte edhe një atu e rëndësishme në krejt shtjellimin e bisedimeve! Përkundrazi, përfaqësuesit e Kosovës pranuan bisedime vetëm për serbët e Kosovës, në veçanti për serbët e veriut, dhe lëshimet e pashmangshme dëmtuan Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Lëvizja për Bashkim me bindje deklaron se pala shqiptare duhet ta rishqyrtojë qasjen dhe pozicionin e saj në këto bisedime dhe t’i vendosë në binarë të duhur për zgjidhje çështjet që po e rëndojnë vendin që nga paslufta, e që do të vazhdojnë të prodhojnë probleme pavarësisht rezultateve të bisedimeve aktuale! Kohë ka ende, – thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button