BeH, nis referendumi për Ditën e Republikës Sërpska

Me hapjen e qendrave të votimit në Republikën Sërpska sot nisi referendumi në këtë entitet të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) në të cilin qytetarët deri në ora 19:00 do të kenë mundësi t’i përgjigjen pyetjes “A e mbështesni që 9 janari të shënohet dhe festohet si Dita e Republikës Sërpska?”

Të drejtën për të votuar e kanë 1.219.399 qytetarë të RS nga të cilët kërkohet të kenë me vete një nga dokumentet e vlefshme, letërnjoftim, patentë shoferi ose pasaportë.

Qendrat e votimit në shkollën fillore “Branko Radiçeviç” në Banja Llukë janë hapur në kohë, ndërsa disa votues kishin ardhur para hapjes duke pritur fillimin e votimit.

Lista qendrore e votimit është miratuar nga Komisioni Republikan për referendum pas së cilës Komisioni Qendror i regjistrit të BeH-së ka refuzuar të sigurojë një kopje të Regjistrit Qendror të Votuesve për RS.

Vendimi për të thirrur referendum për Ditën e RS është miratuar nga Asambleja Kombëtare në një seancë të veçantë më 15 korrik, në përgjigje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar.

Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues shënimin e 9 janarit si Dita e Republikës lidhur me apelin e anëtarit boshnjak të presidencës së BeH-së, Bakir Izetbegoviç.

Thirrjen për referendum e kanë mbështetur deputetët e koalicionit qeverisës dhe opozitar, ndërsa në seancën para votimit janë larguar përfaqësuesit e koalicionit “Atdheu” në parlamentin e RS.

Kërkesën e RS për rishikimin e vendimit për të shpallur si antikushtetues 9 janarin si Dita e RS, Gjykata Kushtetuese e refuzoi në mbledhjen e saj më 17 shtator. Në këtë seancë gjykata ka lëshuar një masë të përkohshme për ndalimin e veprimeve të mëtejshme për zbatimin e referendumit.

Ramiz Salkiç, nënkryetar i Republikës Sërpska u ka bërë thirrje boshnjakëve në RS të mos dalin në referendum dhe kështu të mos marrin pjesë në aktivitetet kundër Dejtonit dhe anti-kushtetuese por të qëndrojnë të qetë dhe me dinjitet dhe të mos bien pre e provokimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button