Ambasadori Lu: Ka politikanë që kanë lidhje me trafikantët e drogës

Më shumë kultivim kanabisi gjatë qeverisë Berisha apo qeverisë aktuale? Kësaj pyetje i është përgjigjur sot ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Dobnald Lu. Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të gazetarisë, ambasadori Lu tha se të dyja, edhe qeveria e kaluar edhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës.

Por ai shkon edhe më tej, duke u shprehur se ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka nxitur qeverinë e Shqipërisë dhe Policinë e Shtetit që të bëjë më shumë në luftën kundër trafikut të narkotikëve.

Agjencia për Luftën Kundër Drogës e SHBA (DEA) punon ngushtë me Policinë e Shtetit të Shqipërisë për të luftuar trafikimin e drogës, me fokus të posaçëm tek trafikimi i heroinës dhe kokainës. Programi ynë ICITAP i asistencës për policinë për disa vite ka zhvilluar një kamp veror që ti thonë jo drogës. Ne, qeveria e SHBA përgëzojmë përpjekjet e Guardia di Finanza të Italisë për përpjekjet e tyre për të eliminuar prodhimin e kanabisit. Qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës.

Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së”, deklaroi ambasadori.

Lu u pyet nga studentët në lidhje me zgjedhjet në Dibër dhe nëse ka patur blerje votash apo ndikim të grupeve kriminale, siç pretendon opozita. “Shqetësimet kryesore që kam dëgjuar nga opozita dhe të tjerë për Dibrën janë përfshirja e grupeve kriminale dhe blerja e votive. Tani është shumë e zakonshme në Shqipëri që ta dëgjojmë këtë ankesë. Ambasada e SHBA dërgoi katër persona në Dibër për të vëzhguar zgjedhjet. Shtetet anëtare të BE dërguan një ekip me nëntë persona në Dibër dhe OSBE dërgoi edhe vëzhgues ndërkombëtarë. Diçka tjetër që di është që Shqipëria po bëhet një demokraci më e zhvilluar për sa i përket zgjedhjeve. Këta vëzhgues të huaj janë një numër shumë i vogël krahasuar me numrin e madh të vëzhguesve shqiptarë. Prandaj, lidhur me nëse këto akuza janë apo jo të vërteta, unë do të shqetësohesha më pak se ç’mendojnë të huajt dhe do të isha më i interesuar të dija se çfarë kanë raportuar vëzhguesit vendas”, tha Donald Lu.

Lidhur me “vettingun” dhe reformën në drejtësi, Lu tha se PD ka të drejtën e saj ta çojë atë në kushtetuese dhe se mund të bojkotojë komisionet përkatëse, mirëpo sipas tij, kjo do të krijojë një perceptim te qytetarët se PD është kundër reformës dhe mbron gjyqtarët e korruptuar. “Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e vetting në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik.

Kujtoj deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, i cili tha në një intervistë se edhe pse nuk i pëlqen disa nga nenet e Ligjit të Vetting, as ai dhe as ekspertët e tij ligjorë nuk mund të gjejnë diçka jokushtuetuese në ligj. Ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button