Mark Marku: Rama po i trajton qytetarët dhe deputetët si plehra

Profesori dhe analisti Mark Marku shkruan sot në gazetën “Panorama” se Edi Rama po i trajton deputetët dhe qytetarët si plehra pas miratimit në Kuvend të një ligji të cilin e shfuqizoi 3 vjet më parë.

Në shkrimin me titull “Ramës i pëlqejnë plehrat”, analisti Marku thotë se Ramës po i pëlqejnë plehrat dhe ky është zhgënjim i vërtetë për ata që kanë besuar të kundërtën 3 vjet më parë.

Opinioni publik shqiptar ka mbetur i surprizuar këto ditë nga një vendim i maxhorancës së majtë për të miratuar ligjin për importin e plehrave. Habia dhe irritimi i publikut ka të bëjë  kryesisht me faktin se ishte qeveria e zotit Rama ajo që me të nisur punën shfuqizoi të njëjtin ligj të miratuar më parë edhe nga qeveria Berisha. Si për ta shtuar habinë dhe çoroditjen e publikut, mes kundërshtarëve të ligjit për importin e plehrave u shfaq edhe opozita e sotshme, dhe më i spikaturi mes tyre ishte vetë zoti Berisha, pikërisht ish-kryeministri, qeveria e të cilit e solli në Parlament një projektligj të ngjashëm të shndërruar më pas në ligj nga maxhoranca e atëhershme parlamentare.

Është më se e qartë se qëndrimi i palëve ndaj çështjes së importit të plehrave përbën në vetvete një problem shumë më të madh se vetë importimi i plehrave dhe krijimi i industrive që i përpunojnë ato. Të importosh apo të ngresh impiante të përpunimit është një çështje vërtet delikate dhe e debatueshme, por që gjithsesi mund ta shikosh nga shumë këndvështrime.

Nëse e shikon nga këndvështrimi ambientalist, natyrisht është diçka e papranueshme, për të mos thënë një krim ndaj vendit dhe qytetarëve që jetojnë në atë vend. Nëse e shikon nga këndvështrimi i biznesit, natyrisht që është një çështje me leverdi ekonomike (sidomos për ata që e ushtrojnë këtë biznes). Edhe këndvështrimi politik ndryshon sipas nuancimeve politike: i djathtë, i majtë, liberal, konservator”, shkruan Marku për gazetën Panorama.

Ajo që të habit nuk është mënyra si i trajtojnë plehrat, por njerëzit. Dhe Rama i trajton njerëzit si plehra në këtë rast. Trajton si plehra qytetarët shqiptarë, që i ka mashtruar tre vite më parë me abrogimin e ligjit. Trajton si plehra ata që e kanë “besuar” atëherë dhe që kanë ndihmuar që ai të vijë në pushtet. Trajton si plehra deputetët e tij, që vite më parë i ka mobilizuar në luftë kundër “mafies së plehrave të Berishës”, dhe që tre vite më vonë i vë të votojnë të njëjtin ligj. Ramës i pëlqejnë plehrat dhe ky është zhgënjimi i vërtetë për ata që vite më parë kanë besuar të kundërtën”, e mbyll shkrimin e tij Marku.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button