Boksi në Maqedoni do të ketë dy liga në vitin 2017

Kryetari i federatës së boksit të Maqedonisë, Igor Zllatkov dhe anëtarët e Këshillit drejtues, Faton Salihu dhe Oliver Stankov, sot kishin organizuar konferencë për mediat ku kanë njoftuar për planet e federatës që nga viti i ardhshëm të fillojnë me ligën e boksit.

Në fakt Zllatkov ka thënë se buxheti prej 700 mijë euro në vit do të jetë një ndihmë e madhe për boksin. Funksionimi i Ligës nga viti i ardhshëm të këtij sporti olimpik do të ndihmojë në kthimin e sportit që ka sjellë në vitet më parë medalje dhe suksese për vendin tonë.

Sipas kryesisë së federatës së boksit, liga pritet që të numërojë së paku tetë ekipe, e për të cilin Agjencia për Rini e Sport do të organizonte turne kualifikues, ndërsa edhe Ligën e Dytë do ta përbënin tetë ekipe të tjera.

Si situmulim për arritje sa më të mëdha, do të ketë shpërblime për çdo fitore të boksierëve. Nga ana tjetër, nëse klubet arrijnë që të sigurojnë edhe sponsorisime të tjera të mundshme, atëherë do të lirohen nga tatimi i fitimit dhe do tu jepet mundësi që tu jepet materiale shtesë të boksierëve dhe trajnerëve.

“Sigurisht se tani do ta kemi më lehtë, ajo që është më e rëndësishme tani më kemi xhirollogarinë e debllokuar dhe gjithçka do të shkojë përmes federatës së boksit e cila edhe do të jetë organizatore Ligës së Maqedonisë nga vitit i ardhshëm. Dua të theksoj se secili boksier për fitore do të ketë shpërblim nga 350 euro, barazimi 200 euro dhe shpërblim do të ketë edhe për boksierët që do të pësojnë humbje, e që do të marrin nga 150 euro. Gjithashtu edhe ekipi i cili do të fitoj titullin e kampionit do të shpërblehet me 20 mijë euro”, ka thënë për Portalb.mk nënkryetari i federatës së boksit të Maqedonisë Faton Salihu.

Oliver Stankov ka thënë se me 15 tetor do të organizohet “Meçi i kampionëve” nën organizimin e klubit Aperkat nga Shkupi. Do të ketë dhjetëra meçe të pionierëve dhe seniorëve, ndërsa do të jenë pjesëmarrës boksierët më të mirë nga Maqedonia. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button