Fillon gjykimi i ‘Kapetan Dragan-it’ në Split: “Isha në mbrojtje të Jugosllavisë”

Në Gjykatën e Qarkut në Split filloi gjykimi i ish-komandantit të forcave paramilitare serbe Dragan Vasiljkoviç, i njohur si ‘Kapetan Dragan’, për krime lufte ndaj ushtarëve dhe civilëve kroatë. Vasiljkoviç në pyetjen e gjykatësit tha se nuk ndihet fajtor.

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Qarkut Split filloi sot me masa të larta të sigurisë.

“Nuk jam agresor, por kam mbrojtur atdheun tim Jugosllavinë,” tha ‘Kapetan Dragan’ në fjalimin e tij në gjykatë.

Ai tha se të gjithë dëshmitarët kanë dëshmuar rrejshëm, duke mohuar të ketë kryer ndonjë krim dhe konsideron se krimi është kryer ndaj tij. Ai tha se as ai dhe as ushtarët e tij nuk janë sjellur vrazhdë ndaj të burgosurve.

Kapiteni Dragan tha se e kishte ndryshuar emrin në Australi për ta theksuar më lehtë dhe se nuk kishte të bënte aspak për ta fshehur identitetin.

“Jam krenar për luftën që kam bërë dhe luftën e ‘ninxhave’ të mi. Asnjë nga ne nuk është gjykuar, ndërsa të burgosurit kishin vetëm fjalë të mira”, tha Vasiljkoviç duke këmbëngulur se vetëm dëshmitarët e rremë kanë folur të kundërtën.

Në pyetjen e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Gjykatës së Qarkut në Split, Damir Romac nëse ndihet fajtor, Dragan Vasiljkoviç ka thënë: “Absolutisht jo”.

Vasiljkoviç në gjykatë ka deklaruar edhe një herë se ai nuk ndihet fajtor, i bindur se prokuroria nuk ka prova për akuzat për të cilat ngarkohet.

Në aktakuzë janë përfshirë 55 dëshmitarë, ndërsa mbrojtja ende nuk ka paraqitur dëshmitarët e saj.

Dragan Vasiljkoviç, ish-komandant i Qendrës së Mësimit për trajnimin e forcave speciale Alfa, ngarkohet se ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Konventës së Gjenevës, për krime të kryera në mes të vitit 1991 në burgun në Kalanë e Kninit, dhe në shkurt të vitit 1993 në Benkovac për tortura, abuzim dhe ekzekutimin e pjesëtarëve të zënë robër të policisë dhe ushtrisë kroate.

Kapiteni Dragan është akuzuar se në korrik të vitit 1991 në Glina, në marrëveshje me komandantin e njësisë tankiste të Aramatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), kanë hartuar plan për sulmin e stacionit të policisë lokale dhe lagjen periferike Jukinac si dhe fshatrat Vidushevac i Epërm dhe i Poshtëm dhe marrjen tyre.

Gjatë sulmit në fjalë ishin shkatërruar objekte civile, ndërsa popullsia është e detyruar të largohet, u plaçkitën pasuritë ndërsa civilët u vranë dhe u plagosën, në mesin e të cilëve u vra edhe gazetari gjerman Egon Scotland, në hyrje të Glinas.

Mbrojtja e ‘Kapetan Dragan’-it, ka kërkuar disa herë që gjykimi nga Gjykata e Qarkut të Splitit të transferohet në njdonjë gjykatë tjetër, por pa sukses.

Vasiljkoviç përmes mbrojtësve të tij më parë kishte paraqitur ankesë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara kundër Australisë dhe Kroacisë për shkak të paligjshmërive gjatë ekstradimit dhe për shkak të paligjshmërisë së dhjetë viteve të paraburgimit në këto dy vende.

Qëllimi i ankesës është vendosja e masës së përkohshme ashtu që Vasiljkoviç të mbrohet në liri.

Në procedurën kundër tij, Vasiljkoviç mbrohet nga avokatët Slagjana Çankoviç, nënkryetare e Këshillit të pakicës serbe të Zagrebit, avokati nga Beogradi Goran Cvetiç dhe avokati nga Osijeku Tomislav Filakoviç.

Fillimi i gjykimit në Split, është duke u ndjekur nga një numër gazetarësh vendas dhe të huaj, sidomos nga Australia dhe Gjermania si dhe përfaqësues të ambasadave të Republikës së Serbisë dhe Australisë, shtetësinë e të cilave ka i akuzuari Vasiljkoviç.

Australia në korrik të vitit 2015 ia ekstradoi ‘Kapetan Dragan-in’ Kroacisë, pas procesit ligjor disa-vjeçar dhe përpjekjet e mbrojtjes së Vasiljkoviçit për të kundërshtuar kërkesën kroate për ekstradim të paraqitur në vitin 2005.

‘Kapetan Dragan’ u arrestua në vitin 2006 dhe nga ajo kohë mbahej në një burg ekstradimi, përveç në vitin 2009 dhe në fillim të vitit 2010 kur ishte në liri.

Deri në arrestimin e tij në Australi, në Perth, jetonte nën emrin Daniel Snedden, ku ishte si trajner i golfit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button